Pretendimi: “Gjurmët kimike të panatyrshme” mund të dallohen nga “gjurmët normale të kondensimit” të një aeroplani sepse “gjurmët e kondensimit nuk zgjasin kurrë më shumë se një minutë.”
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, tregon një “Jeff Nelson, ish pilot”, i cili pretendon se spërkatjet me kimikate nga avioni mund të dallohen nga “gjurmët normale të kondensimit” të një aeroplani sepse “gjurmët e kondensimit nuk zgjasin kurrë më shumë se një minutë.”
Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale tregon një mbledhje të Bordit të Mbikëqyrësve të Qarkut Shasta që u zhvillua më 15 korrik 2014 në Redding, Kaliforni
Jeff Nelson, i cili e identifikoi veten si ish-pilot i një linje ajrore komerciale dhe instruktor fluturimi, dëgjohet të thotë:
Gjurmët e kondensimit, jo kimikatet, por gjurmët e kondensimit, ndodhin për shkak të ajrit të ftohtë, minus 30. Duhet një lartësi e madhe rreth 30,000 këmbë [9144 metra] e lart. Ka dioksid karboni dhe avuj uji në atë shkarkim, që shndërrohen në kristale akulli. Kjo është ajo që shihni, rrjedha e bardhë pas avionit. Ato kristale të bardha akulli ngrohen, treten dhe tymi zhduket – dhe kjo nuk zgjat më shumë se një minutë [zakonisht është me sekonda, në varësi të kushteve të ajrit të jashtëm].
Ajo që po shohim tani, dhe unë fillimisht nuk mund ta besoja dhe fillova të shikoja qiellin. Këto nuk janë normale, nuk janë natyrale, diçka po ndodh. Nuk e di kush është ose pse po e bëjnë – e vetmja gjë që mund të dëshmoj është se nuk është natyrale dhe nuk është normale. Duhet të jetë ndonjë ndikim i jashtëm që e bën këtë. Faleminderit.
Pjesa më e madhe e shpjegimit të thjeshtuar të Nelson për formimin e gjurmëve të kondensimit është e saktë. Është e vërtetë që gjurmët e kondensimit nuk formohen në lartësi të ulëta ose në temperatura më të ngrohta, megjithëse temperatura e cituar nga shumica e burimeve është -40 gradë Celsius. Kristalet e akullit nuk kanë nevojë të “ngrohen” në mënyrë që “tymi të zhduket.” Edhe pse Nelson përdor fjalën tym, kuptohet se ai po i referohet gjurmës së bardhë të kristaleve të akullit pas aeroplanit dhe jo tymit të mirëfilltë. Përmes sublimimit, kristalet e akullit (si lëndë të ngurta) që krijojnë një gjurmë të dukshme të akullit mund të kthehen në gjendjen e gaztë të padukshme të avullit të ujit pa u shkrirë. Një gjurmë kondensimi nuk ka nevojë të ngrohet për t’u zhdukur.
Pretendimi i Nelson se gjurmët normale të kondensimit nuk zgjasin kurrë më shumë se disa sekonda, maksimumi një minutë, dhe çdo gjurmë e kondensimit që zgjat më shumë se kaq është dëshmi e diçkaje të panatyrshme ose anormale që është shkaktuar nga një ndikim i jashtëm është i gabuar.
Ekziston një ndikim i jashtëm që është një pjesë e rëndësishme e ekuacionit të gjurmës së kondensimit që është si natyror ashtu edhe normal, dhe ky është lagështia relative e ajrit ku fluturon aeroplani. Kjo lagështi relative është e ndryshueshme nga dita në ditë sipas kushteve të motit. Mund të ndryshojë gjatë gjithë ditës, mund të ndryshojë në pjesë të caktuara dhe mund të ndryshojë nga një lartësi në tjetrën. Kjo është arsyeja pse ndonjëherë mund të shihen dy aeroplanë që fluturojnë në qiell dhe vetëm njëri po lë një gjurmë ajri — ata nuk janë në të njëjtën lartësi ose lagështi relative.
Programi Globe (Mësimi dhe Vëzhgimet Globale në Dobi të Mjedisit) është një “program ndërkombëtar shkencor dhe arsimor që përqendrohet në promovimin e të mësuarit shkencor”, i cili menaxhohet nga Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës e SHBA-së (NASA), identifikon tre lloje të gjurmëve të kondensimit:
“Gjurmët e kondensimit janë të gjitha të përbëra nga të njëjtat materiale dhe formohen në të njëjtën mënyrë, por ato ekzistojnë për periudha të ndryshme kohore. Për shkak të ndryshimeve në “jetëgjatësi”, ato mund të ndahen në tre grupe: jetëshkurtra, të vazhdueshme (jo-përhapëse) dhe vazhdimisht përhapëse.“
Sipas Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Shteteve të Bashkuara (EPA) së bashku me NASA, NOAA dhe Administratën Federale të Aviacionit (FAA), “nëse lagështia është e lartë (më e madhe se ajo e nevojshme për të ndodhur kondensimi i akullit), gjurma e kondensimit do të jetë e vazhdueshme. Grimcat e akullit të sapoformuara do të vazhdojnë të rriten në madhësi duke marrë ujë nga atmosfera përreth. Gjurma e kondensimit që rezulton në formë vije shtrihet për distanca të mëdha pas një avioni. Gjurmët e vazhdueshme të kondensimit mund të zgjasin për orë të tëra ndërsa rriten në disa kilometra në gjerësi dhe 200 deri në 400 metra në lartësi. Gjurma e kondensimit përhapet për shkak të turbulencës së ajrit të krijuar nga kalimi i avionit, ndryshimeve në shpejtësinë e erës përgjatë rrugës së fluturimit dhe ka mundësi përmes efekteve të ngrohjes diellore.”