Pretendimi: Zara po dhuron kuti me rroba që kanë qenë në magazinë për më shumë se një vit
Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi
————————————————————
Një faqe në Instagram e quajtur Zara Boxes ALB pretendon se firma e rrobave Zara po dhuron kuti me rroba, këpucë dhe çanta që kanë qenë në magazinë për më shumë se një vit, për të liruar vendin për koleksionin e ri, dhe fton lexuesit të aplikojnë për të marrë dhurata.
Postimi shqërohet me një fotografi të asaj që duket si një magazinë e kompanisë Zara dhe pakove të shumta të hapura në mënyrë të çrregullt të gatshme për t’u marrë nga dikush që do të pranojë ftesën për të klikuar butonin “Apliko tani” në faqe.
Megjithatë, nëse klikojmë mbi emrin e faqes së Instagramit, ajo nuk hap profilin e Zara Boxes ALB.
Nga një kërkim me motorin e kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm është përdorur në rrjet për të bërë postime të ngjashme me atë të mësipërmin, në gjuhë të ndryshme si turqisht, çekisht dhe vietnamisht.
Në faqen zyrtare të Zara Albania, nuk ka ndonjë njoftim që përmend se firma po dhuron mall.
Kjo është një mënyrë që mashtruesit përdorin për të zhvatur para nga përdoruesit e rrjeteve sociale, e përshkruar edhe këtu.