Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Bashkimi Evropian reaguan për Faktoje mbi nismën e qeverisë shqiptare për ngritjen e një Komisioni për Dezinformimin. Qeveria vijon të mos publikojë memorandumin ku bazohet komisioni edhe pse partnerët ndërkombëtarë kërkojnë transparencë, konsultim të gjerë dhe përfshirje të shoqërisë civile. Ekspertët druhen se nevoja për t’u mbrojtur nga ndikimi i huaj malinj dhë emërimi i figurave politike për komisionin e dezinformimit mund të përdoret për qëllime propagandistike dhe elektorale.
Jona Plumbi
Prej miratimit të ngritjes së një komisioni për dezinformimin në Parlament vetëm me votat e socialistëve, shqetësimi i grupeve të interesit për mungesë konsultimesh dhe paqartësi nuk ka rreshtur.
Faktoje kërkoi nga Këshilli i Ministrave të njihet me Memorandumin e Bashkëpunimit të firmosur mes Shqipërisë dhe SHBA-së, ku ky komision thuhet se është bazuar. Afati ligjor për të marrë përgjigjje nga Këshilli i Ministrave ka skaduar dhe ankimimi ka shkuar tek Komisoneri për të Drejtën e Informacionit.
Deri në zgjidhjen e këtij ngërçi, për të kuptuar pak më shumë rreth pritshmërive të partnerëve tanë ndërkombëtarë për mënyrën sesi një shtet duhet të marrë masa ndaj manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja, Faktoje pyeti Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Bashkimin Eruopian.
Çfarë thonë partnerët ndërkombëtarë
Ndryshe nga institucionet shqiptare, DASH iu përgjigj kërkesës për informacion brenda 24 orëve. Pyetjes se cila do të ishte një qasje e përshtatshme për të luftuar dezinformimin në ekosistemin e informacionit për të hedhur dritë mbi ndikimin e mundshëm malinj të huaj nëpërmjet mbështetjes financiare, DASH iu përgjigj Faktojes se:
“Shembulli më i mirë është mbështetja e shoqërisë civile, medias së pavarur dhe akademisë të cilat luajnë rol thelbësor në informimin dhe mbështetjen e iniciativave të udhëhequra nga qeveria për të kundërshtuar manipulimin e informacionit nga shtete të huaja.”
– Departamenti i Shtetit Amerikan për Faktoje
Por qeveria shqiptare zgjodhi të ngrejë një komision parlamentar me afat punimi 1 vjeçar dhe me antarësi të deputetëve të parlamentit për të “zgjidhur” problemin e dezinformimit, ndërhyrjeve keqdashëse në media dhe në fushata elektorale.
Faktoje iu drejtua Bashkimit Europian për të kuptuar nëse qeveria apo parlamentarët shqiptarë ishin konsultuar me ta për ngritjen e komisionit në fjalë. Në përgjigjen drejtuar Faktojes, zëdhënësi i BE-së Peter Stano theksoi se:
“Në mënyrë që të mbyllet në mënyrë efektive hapësira për ndërhyrjen e huaj dhe manipulimin e informacionit, duke përfshirë dezinformimin, media dhe organizatat e shoqërisë civile duhet të fuqizohen dhe përfshihen në këtë përpjekje dhe liria dhe pluralizmi i medias duhet të garantohet.
Ç’do iniciativë e tillë duhet të përdorë plotësisht ekspertizën ndërkombëtare, veçanërisht nga delegacioni i BE-së në Tiranë, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, Komisioni Evropian si dhe Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës.”
– Peter Stano, zëdhënës për punët e jashtme dhe politikat e sigurisë në Komisionin Europian
Gjithpërfshirje dhe diskutim me bazë të gjerë pret edhe DASH në këtë proces nga Shqipëria.
“Luftimi i kësaj sfide kërkon një dialog gjithëpërfshirës për të siguruar efektivitetin e saj dhe ne presim një diskutim me bazë të gjerë me të gjithë shqiptarët.” – DASH për Faktoje.
Por ndërsa nisja e këtij procesi në Shqipëri i përjashtoi konsultimet me shoqërinë civile dhe opozitën. Me sa rezulton nga përgjigjet e dhëna për Faktoje, konsultime nuk ka pasur as me partnerët ndërkombëtarë.
Në këtë përfundim del edhe Afrim Krasniqi, studiues dhe drejtues i Institutit të Studimeve Politike.
“Në këtë rast Shqipëria duhet të ishte konsultuar me SHBA-në, me BE-në, Britaninë e Madhe dhe me vetë NATO-n. Në dijeninë tonë nga monitorimi që kemi bërë nuk na rezulton që ka pasur konsultim me këto institucione, siç nuk ka pasur konsultim as me institucionet e sigurisë brenda vendit.” – Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike.
Çfarë po ndodh me komisionin për dezinformimin?
Nga momenti i miratimit të komisionit në parlament kanë kaluar më shumë se tre javë dhe i vetmi zhvillim i ri gjatë kësaj periudhe janë propozimet që Partia Socialiste bëri për antarët që vijnë nga shumica parlamentare.
“Publikimi i një dokumenti transparent mbi qëllimet, objektin, kalendarin, pritshmëritë dhe garancitë që ky komision nuk do cënojë lirinë e shprehjes dhe të medias – apo që nuk do mundohet të rikthejë paketën antishpifje që u refuzua nga BE – ende nuk ka ndodhur. Ndaj dhe përdorimi i momentit dhe nevojës për t’u ruajtur nga ndikimet e jashtme të huaja dhe emërimi në komision i disa figurave politike, legjitimon frikën se qeveria do e keqpërdorë momentin për interesa të fushatës së saj elektorale.” – vlerëson Afrim Krasniqi.
Çdo rregullim ligjor që ky komision mund të propozojë, është i vështirë të zbatohet kur vihet në rrezik liria e medias apo liria e shprehjes, thekson Erjon Tase, anëtar i shoqërisë civile dhe drejtues i Akademisë për Studime Politike.
Për këtë arsye – vijon ai – me rëndësi është pikërisht edukimi mediatik i publikut.
“Është e nevojshme të vendoset theksi tek edukimi i publikut për të identifikuar lajmet e rreme apo dezinformimin vendas dhe të huaj. Programet edukuese në shkolla për fëmijët dhe të rinjtë nevojitet të gjejnë forma të tjera për të arritur edhe moshat e tjera që janë konsumatorët kryesorë të medias dhe rrjeteve sociale.” – Erjon Tase, drejtue si Akademisë së Studimeve Politike
Në përgjigjen drejtuar Faktojes, DASH referoi kornizën e Departamentit të Shtetit Kundër Manipulimit të Informacionit nga Shtete të Huaja, ku bazohet memorandumi i firmosur mes SHBA-së dhe Shqipërisë.
Në këtë dokument listohen hapat që ndihmojnë ligjvënësit të zhvillojnë një pamje të plotë operacionale të përbashkët të kërcënimit nga manipulimi i informacionit nga shtete të huaja dhe për të identifikuar dhe implementuar mënyra efektive për ta luftuar atë.
“Kundërshtimi i manipulimit të informacionit nga shteti i huaj bëhet më së miri kur qeveritë mbrojnë dhe mbështesin rolin e mediave të pavarura, promovojnë kontrollin e pavarur të fakteve dhe edukimin mediatik dhe dixhital, dhe mirëpresin avokimin publik për këtë çështje.” – thuhet në dokument.
Kuadri thekson rëndësinë e një strategjie në politikat kombëtare që shkojnë përtej qasjes së “monitorimit dhe raportimit” dhe që sigurojnë garanci për lirinë e shprehjes dhe transparencën në pronësinë e medias.
Përfundim
Prej nisjes së procesit për ngritjen e komisionit për dezinformimin shqetësimi kryesor i shoqërisë civile dhe opozitës ishte mungesa e transparencës, konsultimeve dhe diskutimit për këtë nismë. Terri informativ duket se vijon. Faktoje kontaktoi disa anëtarë të Partisë Socialiste, firmëtarë të kërkesës për ngritjen e komisionit apo pjestarë të propozuar për të qënë në përbërje të tij, por askush nuk pranoi të fliste për këtë nismë, duke e vështirësuar edhe më tej të kuptuarit e synimit që komisioni për dezinformimin ka.
Fakti qëndron se partnerët ndërkombëtarë, BE dhe SHBA kërkojnë që procesi të diskutohet gjerësisht, të përfshihet shoqëria civile dhe të garantohet liria e medias, gjë e cila ende nuk ka ndodhur.