Jona Cenameri
“Ja shikoje vetë sa keq është gjendja”, “Të lutem bëji fotot, video të gjithave, ekspozoji”, “Do sëmuremi”, “Ishalla dëgjohesh ti te Bashkia”.
Këto janë disa nga fjalët që dëgjova nga banorët në zonën e njësisë administrative numër 6, apo siç njihet në të folurën e përditshme, zona e Kombinatit.
Atje, koshat e plehrave ishin të tejmbushur, të rrethuar nga mbeturinat e lëna rreth e përqark në cepat e tyre si dhuratat poshtë pemës së Krishtlindjeve.


Vetëm pak muaj më parë, në gusht 2025, kryeministri Edi Rama njoftonte krijimin e një institucioni të ri për menaxhimin e mbetjeve: Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve.
Sipas tij, ky operator “do të jetë në dispozicion të gjithë republikës, patjetër të pushtetit vendor, të qytetarëve dhe misionit për anëtarësimin në BE”, duke përqendruar trajtimin e mbetjeve në një strukturë kombëtare dhe jo më në dorë të bashkive.
Rama e cilësoi këtë si “kapitullin më sfidues të negociatave me BE-në” dhe premtoi “një paketë të re reformash dhe masash” për menaxhimin e integruar të mbetjeve, përfshirë edhe krijimin e “fondit të ekonomisë së mbetjeve”.
Sipas një përgjigjeje zyrtare që Bashkia Tiranë i ka dërguar Faktoje.al në muajin shtator, shërbimi i pastrimit në territorin e bashkisë realizohet nga shoqëria publike “Eco Tirana” sh.a. Vetëm për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve urbane, kostoja vjetore e parashikuar arrin në 1,142,855,362 lekë me TVSH.
Në terren, megjithatë, premtimet për reformë duken shumë larg koshave të tejmbushur që takova në Kombinat.
Banorët dukeshin të qetë, të mësuar fare mirë me këtë gjendje. Gjatë rrugës sime në këmbë i shikoja teksa gjithë delikatesë i vendosnin plehrat mbi kosha në mënyrë të atillë që të mos humbej balanca dhe ato të binin bashkë me qeset e tjera poshtë.
Afër qendrës së Kombinatit, tek tregu, edhe korsia e biçikletave, edhe zona rreth pemëve të mbjella që ndodheshin afër dhe para koshave, ishte e përmbytur nga mbeturinat që në fakt duhet të ishin brenda tyre.

Pasi pyeta banorët për vendndodhjen e pallateve të rindërtuara pas tërmetit të vitit 2019, u drejtova për nga qendra e Kombinatit, aty ku gjendej dhe objekti i njësisë administrative numër 6.





Kjo ndërtesë, përgjegjëse për punët e brendshme vendore të kësaj njësie, e ndante murin me një godinë e cila dukej si një relike e një kohe tjetër. Kjo godinë qëndronte në këmbë por ishte e boshatisur, dukshëm e dëmtuar nga tërmeti, e krisur dhe e shembur vende-vende. Disa prej ngrehinave të saj ishin mbushur edhe me plehra.
Godina kishte 10 harqe dhe disa hyrje nën to; në njërën prej tyre më zunë sytë një zotëri dhe iu afrova ta pyes. Zotëria po tërhiqte një karrocë me plehra dhe atë hyrje ku po qëndronte, e trajtonte si vendqëndrimin e tij pasi ishte i pastrehë.
“Kjo godina është bosh, vetëm unë jam këtu”, më konfirmoi ai dhe më tha se nuk kishte dëgjuar për ndonjë rikonstruksion apo rindërtim të mundshëm të saj.
Pas kësaj pamje groteske mu në qendër të Kombinatit, sipas direktivave të banorëve, kalova përmes një harku betoni për të mbërritur në destinacionin e dëshiruar.

Panorama ishte e nderë që në hapat e para, rruga ku po shkelja nën hark ishte e copëtuar dhe, me të ecur edhe pak, ajo kthehej në një baltovinë, totalisht të pashtruar.
Para meje po kalonte një grua e ngarkuar me nga një qese të rëndë në secilën dorë, varur si gurë peshe. Sikur peshat të mos mjaftonin, e shihja teksa tërë siklet bënte zigzake në shmangie të gropave, pellgjeve dhe llucave të rrugës.
Tani ishte shumë vonë për t’u kthyer pas, isha shumë afër destinacionit, edhe pse dukshëm do të kthehesha në “Tiranën tjetër”, pra në lagjet e qendrës, me këpucë të ndotura sikur të kisha hyrë në ndonjë kënetë.
Por rruga e munguar nuk ishte e keqja e vetme. Gjatë asaj rruge u hasa me pesë kazanë mbeturinash, të vjetëruar dhe qëndrestarë, në mes të asaj rruge pa rrugë.
Në pamje të parë situata nuk dukej keq, kishte mbeturina të vogla rreth e përqark koshave, por ishin thjesht kanaçe apo ambalazhe sporadike. Ama ndonjëherë duhet të shikosh përtej asaj që sheh dhe ajo “përtej” në këtë rast nuk ishte kaq e zakonte.

Pas koshave, përveç një pellgaçeje minimaliste, kishte një grusht shishesh plastike dhe plehrash të tjera shtëpiake bashkë me një dyshek dhe një batanije nga ato me lule kafe që të gjithëve na lipsen në këtë dimër të ftohtë.

Pikërisht për objekte të tilla të mëdha, si dysheku dhe mobiliet e vjetra që kisha përpara syve, bashkia ka premtuar se qytetarët nuk kanë pse t’i hedhin pranë koshave.
Në një nga prezantimet për shërbimin e ri të pastrimit në vitin 2024-tër, një punonjës i “Eco Tirana”-s u bënte thirrje qytetarëve: “Nëse kanë një divan, një lavatriçe ose ndonjë gjë tjetër për të hedhur, ne kemi mjete që e largojnë direkt, pa pagesë. Por që i kemi falas”.
Në letër, mjafton një telefonatë që një dyshek si ai i hedhur në baltë të merret nga banesa pa kosto.
Gjendja e plehrave deri tani në këtë ekspeditë të shkurtër në Kombinat dukej aspak e bukur, por vazhdova përpara drejt pallateve të reja.
Tashmë arrija t’i shquaja pallatet, isha as 2 minuta larg tyre. Kisha arritur. Rruga deri aty nuk ishte e gjatë, por ishte padyshim e keqe dhe e padëshirueshme për atletet e mia. Herë tjetër, për kësi misionesh, duhet të marr patjetër çizme të trasha gome.
Sado që kërkoja t’i shmangia plehrat, ato s’po më ndaheshin. Në krahun tim të majtë ishin disa banesa të shkretuara që një Zot e di prej sa vitesh ishin bosh. Bosh nga njerëzit, por jo nga plehrat.



Banorët e zonës kishin mbushur me plehra tre banesa të tilla që gjendeshin në krah të rrugës deri te pallatet e reja.
Në atë rrugicë më pak se 5 metra të gjatë gjendeshin 5 kazane plehrash dhe tre ish-shtëpi tashmë të kthyera në mini-landfille.
Plehra, plehra, plehra…
Në këtë pikë isha gati e dorëzuar, ato ishin kudo dhe çdo hap bëhej gjithnjë e më i pamundur pa u ndeshur me to.

Gjendesha mu përpara katër godinave të rindërtuara, kontrasti mes zonës përreth tyre dhe këtyre godinave të reja ishte shumë i thellë. Në këmbët e mia kisha nja 2-3 pellgje të mëdha me ujë dhe rreth e përqark gjithë dheu ishte kthyer në baltë.
Atletet e mia nuk kishin shpëtim kësaj here, por kjo nuk ishte asgjë krahasuar me panoramën që më priste.
Me një të kthyer të kokës majtas shoh një pallat ngjyra-ngjyra të ri fringo, madje akoma të papërfunduar. Para pallatit ngjyra-ngjyra ngrihej një kodër e vogël me plehra po ngjyra-ngjyra.




Gjithçka kishte aty: materiale ndërtimi, copa betoni, kuti kartoni, ambalazhe, kanaçe, shishe plastike, lodra fëmijësh, pjesë orendish shtëpiake, tuba, veshje, etj, etj, etj.
Një katrahurë e vërtetë.
Nisa të bëja disa foto dhe video. Situata duhej bërë patjetër publike.
Teksa bëja foto, më flet një zotëri, banor i zonës, që ishte duke lëvizur me biçikletë.
“E shikon ç’bëhet këtu”, më thotë ai dhe psherëtin. I prezantohem si gazetare e Faktoje.al dhe e pyes për këtë masiv shokues plehrash.
“Mesa di unë janë bërë ankesa tek Bashkia nga banorët për këto plehrat”, thotë ai, por specifikon se nuk janë organizuar si komunitet për të kërkuar zgjidhje.
Përshëndetem me zotërinë, pasi i lë kontaktin dhe i kërkoj t’më përditësojë për çdo ndryshim, për mirë apo për keq, të situatës.
Ndërsa bashkë me një qen rrugësh i vimë rrotull vendgrumbullimit të plehrave, përballem me një zonjë të moshuar që po tërhiqte një karrocë ushqimesh.
Sapo e përshëndes dhe i prezantohem si gazetare, ajo nis t’më flasë për shqetësimin e saj më të madh… plehrat.
“Do sëmuremi”, tha tetëdhjetëvjeçarja, duke më kërkuar t’i shkoj pas, sepse përveç atij grumbullimit të madh me plehra në zonë ka dhe të tjera dhe në përgjithësi zona rreth kompleksit të pallateve është e papastruar.






Vijoj rrugën me të, drejt cepit tjetër të kompleksit të 4 “godinave të tërmetit”, siç i quajnë rëndom banorët e këtushëm. Teksa ecim, zonja më tregon se sipas saj mbeturinat kanë nisur të hidhen nga ata që kanë bërë punimet tek godinat. Ata kanë hedhur në këto pika kartonat dhe kutitë e pajisjeve shtëpiake, apo të ndërtimit.
Banorët pastaj, nga përtacia apo mosedukata, kanë vijuar t’i hedhin mbeturinat e tyre të përditshme apo kutitë që kanë përdorur për transportin e sendeve shtëpiake në shtëpitë e reja pikërisht në këto grumbuj të krijuar.
“Unë jam shumë e vjetër dhe jetoj vetëm, s’mund të bëj asgjë, të lutem ngrije këtë problem, sepse po bëhet dita-ditës më shqetësues”, më kërkon e moshuara teksa më tregon me gisht grumbujt e tjerë të mbetjeve.
Grumbujt e plehrave shkëlqejnë në diellin e pasdites, por duket sikur askush nuk i sheh, sepse qytetarët, paçka sasisë alarmante të tyre, vazhdojnë aktivitetet e tyre të përditshme sikur asgjë të mos kishte ndodhur.
Me premtimin se do e ngre zërin edhe në emër të saj ndahem me zonjën. Veprimi u mbetet organeve kompetente.
Ndërkohë, nga përgjigjja që Bashkia Tiranë i ka kthyer Faktoje.al, rezulton se fondi i kontingjencës, i planifikuar në vlerën 40 milionë lekë për vitin 2025, ka mbetur plotësisht i papërdorur.
Një shumë kjo që mund të ishte përdorur për ndërhyrje në situata si kjo: për pastrimin e mbetjeve, sistemimin e hapësirave përreth godinave të reja apo marrjen e masave për kufizimin e rreziqeve për shëndetin e komunitetit, që në rastin e Kombinatit duket se ka mbetur vetëm në letër, përballë grumbujve të plehrave, baltës dhe erës së rëndë që përcaktojnë përditshmërinë e qindra familjeve.
Prej vitesh kryebashkiaku Erion Veliaj e prezanton Tiranën si histori suksesi në pastrim. Në prill 2023 ai deklaronte se “Tirana është qyteti më i pastër në Europën Juglindore” dhe se pastrimi është “kartëvizita më dinjitoze, më e bukur e përfaqësimit, fytyra jonë më europiane”.
“Tek çështja e pastrimit jemi numri 1 sot në rajonin tonë”, theksonte Veliaj, duke u shprehur se kjo vihet re nga delegacione të huaja, kryeministra dhe turistë që vizitojnë kryeqytetin.
Edhe në nivel operacional, bashkia ka premtuar marrje të plotë të kontrollit mbi pastrimin. Në shtator 2024, Veliaj njoftoi se “shërbimi i pastrimit të Tiranës do të kryhet plotësisht nga bashkia dhe jo më nga kompanitë private”.
Në të njëjtën linjë, ai njoftoi “një aksion të madh pastrimi” dhe vënien në punë të “mjeteve dhe makinerive të reja të shërbimit të pastrimit” që, sipas tij, punojnë “nga orët e para të mëngjesit deri në orët e vona të mbrëmjes”.
Teksa nis të fotografoj dhe filmoj pamje të plehrave në cepin tjetër, përballë godinave të reja, takoj një zotëri që ka nxjerrë shëtitje qenin.
“Gazetare je moj vajzë?”, më pyet ai dhe, pasi merr përgjigjen, nis t’më thotë se ata presin me shpresë që pastrimi i zonës të përfundojë bashkë me përfundimin e punimeve në godina.
Njëra nga 4 godinat është e papërfunduar. Pritet të ndërtohen edhe disa godina të tjera, por për to punimet ende nuk kanë nisur. Më pas do të vijohet me ndërtimin e trotuareve, pastrimin e zonës dhe mbase edhe shtrimin e rrugës, tregon zotëria.

Aktualisht, përveç godinave të reja, pjesa tjetër duket një katrahurë mbetjesh betoni, plehrash, balte dhe lluce. Për ndërtimin e rrugës pastaj, banori s’di ç’të shpresojë fare, pavarësisht se e identifikon si problem.
Si pa e kuptuar, nga një fotografi, video apo bisedë në tjetrën, kalova disa orë të tëra në kombinat, “duke gjurmuar” plehrat.
Vendosa të kthehem pas nga rruga tjetër që të nxirrte tek rruga kryesore. Nga baltovina prej nga erdha kisha parë mjaftueshëm.
Papritur më ndalon në rrugë një zonjë, e cila më kishte parë teksa flisja për plehrat me banorët.
“Unë i hedh mbeturinat tek koshat, mezi eci por shkoj deri tek ato”, më thotë ajo, pa ditur t’më thotë saktësisht se sa kohë ka që këto mbeturina janë grumbulluar në atë formë.
Sipas saj, e sigurt është që gjendja kishte qenë e tillë prej të paktën një muaji, që kur ishte futur në shtëpi ajo.
Godinat kanë nisur të popullohen prej më pak se një viti dhe në të katërta ato pritet të banojnë 600 familje, 150 në secilën, sipas banorëve.
Në këto kushte, problemi i mbetjeve, nga ana shëndetësore dhe mjedisore, ka të ngjarë vetëm të përkeqësohet nëse nuk ndërmerren masa për zgjidhjen e tij.

Lutjet e banorëve, baltovina ngjitëse dhe aroma e papushimtë e mbeturinave më shoqëronin ngado. Godina të reja, por të gjendura në mes të një kaosi mjedisor dhe shëndetësor për komunitetin. Në rrugicën tjetër, e cila fatmirësisht, ndryshe nga ajo prej së cilës erdha, ishte e shtruar, më priste një tjetër panoramë shokuese.





Një varrezë betoni shtrihej para syve të mi në të dyja anët e rrugës, por sidomos nga ana tjetër e rrugës përtej godinave, ku s’kishte ndërtime të reja, vetëm grumbuj betoni, dhe mbeturina.
Një foto e shkrepur këtu, lehtësisht mund të përdorej për të ilustruar Gazën. Por ky është realiteti i përditshëm i një lagjeje të rindërtuar në Tiranë, më tepër se 6 vite nga tërmeti i 26 nëtorit.
Derisa fondet, institucionet dhe premtimet të reflektohen, banorët e Kombinatit do të vijojnë të jetojnë mes godinave të reja dhe një landfilli që rritet çdo ditë nën dritaret e tyre.





