Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO) vijon hetimet mbi incidentin e paprecedentë të ndërprerjes së energjisë elektrike në disa vende të Ballkanit Perëndimor mesditën e 21 qershorit.

Esmeralda Topi

Mesditën e 21 qershorit sistemet e transmetimit të energjisë në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje Hercegovinë dhe një pjesë të Kroacisë u përballën me një avari të paprecedentë që shkaktoi ndërprerje disa orëshe të energjisë elektrike në të katra vendet.

Në Shqipëri, energjia në rang vendi u rikthye për 30 minuta. Në një deklaratë të posaçme për situatën, ministrja e infrastrukturës dhe energjisë Belinda Balluku, deklaroi se kolapsi erdhi për shkak të sistemit të ngarkuar dhe temperaturave të larta.

‘Duke nisur nga linja e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila pati një avari dhe më pas në efekt kaskadë i gjithë vendi, kemi pasur shkëputje të energjisë elektrike në të gjithë Shqipërinë. Nga ana tjetër, jemi informuar nga operatorët e tjerë të transmetimit në rajonin tonë se e njëjta situatë ka ndodhur edhe në Malin e Zi dhe pjesërisht në Kroaci dhe në Bosnjë Hercegovinë.’, theksoi Balluku më 21 qershor.

Incidenti u raportua menjëherë nga Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Energjisë (ENTSO), një shoqatë bashkëpunimi mes 40 operatorëve evropianë të sistemit të transmetimit që përfaqësojnë 36 vende.

‘Operatorët e prekur të Sistemit të Transmisionit (OST), me ndihmën e OST-ve fqinje, e rikthyen furnizimin me rrymë në rrjetet e tyre brenda 2 orëve përafërsisht, me qëllim që ta minimizonin ndikimin e ndërprerjes së rrymës tek konsumatorët’, deklaronte ENTSO, të premten e 21 qershorit.

Po ashtu, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit të Energjisë lajmëroi nisjen e një hetimi lidhur me incidentin.

‘Komiteti i Operacioneve të Sistemeve të ENTSO-E do të kryejë një hetim të detajuar të kësaj ngjarjeje në javët në vijim, me mbështetjen e një paneli ekspertësh.’, thuhej në njoftim.

‘Hetim ndërkombëtar’

Një ditë pas kolapsit energjitik, në shumicën dërrmuese të mediave shqiptare – tradicionale apo ato online- u raportua se Komisioni Evropian kishte nisur hetim ndërkombëtar për zbardhjen e incidentit të 21 qershorit.

Këto ishin titujt kryesor të mediave, të shtunën e 22 qershorit. Hetimi të cilit i referoheshin mediat shqiptare, në fakt nuk ishte nisur nga Komisioni Evropian, por nga ENTSO-E, Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike.

ENTSO-E është shoqatë bashkëpunimi mes 40 operatorëve evropianë të sistemit të transmetimit që përfaqësojnë 36 vende.

Avaria ende pa ‘fajtor’

Thuajse tre muaj pas incidentit, Operatori i Sistemit të Transmetimit të Energjisë në Shqipëri i tha Faktoje se grupi i punës ngritur në koordinim me ETSNO-E është ende në proces të analizës së plotë të kolapsit energjitik të 21 qershorit.

Momentalisht është shumë herët për të përcaktuar nëse ndonjë nga vendet ka qënë përgjegjës për avarinë.’, thekson Operatori i Transmetimit, teksa shton se ‘OST është në koordinim me grupin e punës të ETNSO-E për sigurimin e të gjithë të dhënave të nevojshme për raportin.’

Raporti mbi incidentin pritet të jetë gati në fund të vitit 2024. Në të do të identifikohen rekomandime për të gjithë Operatorët e Transmetimit, prekur ose jo nga incidenti. Mbi këtë bazë, OST thotë se do të përcaktojë edhe planin e masave.

Dhe teksa hetimet vijojnë, Azmer Duleviç, inxhinier elektrik identifikon disa faktorë si shkaktarë të ndërprerjes së energjisë në Ballkan.

‘Rajoni përjetoi temperatura jashtëzakonisht të larta, duke çuar në një rritje të kërkesës për energji elektrike pasi njerëzit përdorën më shumë kondicionerët. Po ashtu, rrjetet e energjisë në shumë vende të Ballkanit sidomos në Shqipëri janë të vjetëruara dhe kanë vështirësi për të përballuar rritjen e papritur të kërkesës.’, argumenton ai duke shtuar si faktorë të tretë edhe sistemet e ndërlidhura të energjisë.

‘Ndërlidhja e sistemeve të energjisë në rajon bën që problemet që ka një vend të përhapeshin shpejt edhe në vendet fqinje të tjera.’, pohon Duleviç.

Redaktoi Aimona Vogli