Përshtatur nga Scientific American
Gjashtë muaj nga shpërthimi i pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, dhe me stinën e verës që po troket në dyert tona, shkencëtarët ende po hetojnë nëse moti dhe klima ndikojnë në koronavirusin e ri.
Ekspertët duket se po konvergojnë në një miks mes lajmeve të mira dhe të këqija. Moti i nxehtë dhe me lagështi më të madhe me shumë gjasa ngadalëson transmetimin e virusit, të paktën në mënyrë minimale. Por nuk është aspak në gjendje që të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme proresin e pandemisë.
“Publiku nuk duhet të supozojë se gjendja është e sigurtë vetëm sepse jashtë është gnrohtë” – tha Mohammad Jalali, një hulumtues në Shkollën Mjekësore të Harvard, i cili ka hetuar mbi lidhjet mes motit dhe koronavirusit.
“Të gjitha ndërhyrjet dhe praktikat (e insitutiteve të shëndetit publik) duhet të qëndrojnë ashtu siç janë” – tha ai për E&E Neës. “Dhe në fakt, kur shohim reduktime madhore (të rasteve nga koronavirusi), është kryesisht për shkak të këtyre politikave”.
Një numër studimesh të botuara së fundmi kanë sugjeruar se moti në verë ka ndonjë lloj efekti në transmetueshmërinë e virusit, edhe pse provat në disa raste janë të paqëndrueshme. Një raportim i botuar nga Akademitë Kombëtare të Shkencës, Inxhiniriesë dhe Mjekësisë në mars, dhe më pas i përditësuar në prill, rishikonte shumë nga hulumtimet shkencore të dala deri në atë moment.
Disa eksperimente laboratorike kanë sugjeruar se temperaturat më të larta dhe lagështira janë të lidhura me mbijetesën e reduktuar të virusit. Thënë kjo, vë re raporti, kushtet e simuluara në laborator nuk riprodhojnë gjithmonë kushtet me të cilat virusi do përballet në jetën reale.
Raporti gjithashtu iu referua disa studimeve për të krijuar hartën e shpërndarjes së virusit përgjatë botës dhe për ta krahasuar progresin e tij me variablat e klimave lokale. Disa nga këto studime sugjeruan gjtihashtu se virusi mund të transmetohet më lehtësisht brenda një temperature dhe niveli lagështire të caktuar.
Por këto studime gjithashtu mangësitë e tyre, thekson raporti, si të dhënat e kufizuara dhe një periudhë kohore studimi relativisht e shkurtër që nga fillimi i pandemisë.
Raporti doli në përfundimi se moti mund të luajë një rol të vogël dhe me të gjitha gjasat të limituar në progresin e pandemisë në muajt në vijim. Përveç temperaturës dhe lagështirës, vuri në dukje se “ka shumë faktorë të tjerë përtej temperaturës së ambjentit, lagështirës, dhe mbijetesës së virusit jashtë trupit bartës, që influencojnë dhe përcaktojnë shkallën e transmetimit mes njerëzve në ‘botën e vërtetë’.”
Që kur ky raport u përditësua, disa studime të tjera kanë dalë në përfundime të ngjashme.
Një studim i ri, i botuar javën e kaluar nga rrjeti i hapur i gazetarëve online të “Journal of the American Medical Association’s”, ekzaminoi përhapjen globale të pandemisë mes janarit dhe fillimit të marsit. Ky studim u përpoq të adresojë disa nga kufizimet e studimeve të mëparshme.
Studimi zbuloi se virusi kishte tendencën për t’u përhapur brenda një marzhi relativisht të ngushtë klimatik, duke favorizuar rajonet me nivel të ulët lagështire dhe temperatura mesatare mes 4.4 dhe 10 gradë Celsius.
Studimi doli në përfundimin që përhapja fillestare ishte “në përputhje me sjelljen e një virusi sezonal të rrugëve të frymëmarrjes”.
Që nga atëherë, megjithatë, sëmundja është përhapur në pjesën më të madhe të botës, duke përfshirë zona jashtë shkallës së ngushtë klimatike të identifikuar në studim.
Sipas autorit kryesor të studimit, Mohammad Sajadi, një hulumtues në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit të Merilendit, studimi nuk kishte për qëllim të sugjeronte se virusi mund të përhapet vetëm brenda kushteve të caktuara klimatike. Variablat e tjera, si dendësia e popullatës dhe protokollet e distancës sociale, kanë një efekt të madh.
“Por, ajo që studimi thekson janë llojet më të mundshme të kushteve që mund të ndikojnë në rrezikun e transmetimit, të kombinuara me këto faktorë të tjerë” – tha Sajadi.
Një projekt tjetër i kohëve të fundit, një bashkëpunim mes një numri institucionesh hulumtimi, ka gjurmuar mënyrën se si temperatura, lagështira dhe variablat e tjera të mjedisit kanë ndikuar në përhapjen e COVID-19.
Hulumtimi nuk duhet të konsiderohet ende përfundimtar, pasi janë ende në pritje kritikat nga shkencëtarët e tjerë.
Por analiza, në formën e saj aktuale, mbështet gjerësisht atë që kanë sugjeruar ekspertë të tjerë: moti ka pak efekt në transmetimin e COVID-19, por nuk do të ketë efekt të gjerë në pandeminë.
Në veçanti, studimi sugjeron se temperaturat më të larta dhe ekspozimi i rritur ndaj rrezatimit ultraviolet të rrezeve të diellit mund të reduktojë në mënyrë modeste transmetueshmërinë e sëmundjes. Por Jalali, hulumtuesi nga Harvard dhe një nga bashkë-autorët, paralajmëroi se kur thonë “modeste”, e kanë realisht fjalën për një mënyrë shumë modeste, pra të ulët.
Përgjatë afërsisht 4 mijë vendndodhjeve të analizuara në studim, efekti më i gjerë që studiuesit vëzhguan ishte një reduktim nga 30% në 40% në transmetueshmëri, të lidhur me motin. Këto shifra tingëllojnë të larta, shprehet Jajali, por ne shumicën e vendndodhjeve, edhe një reduktim prej 40% sërish nuk do t’i ndalte rastet e COVID-19 që të rriteshin me përmasa eksponenciale.
Dhe, gjithsesi, ky efekt kaq i madh nuk shihet vetëm në kushte shumë të nxehta dhe me shumë lagështirë, ka shtuar ai.
Parashikimet e motit po sinjalizojnë për një verë më të nxehtë se zakonisht. Por në tërësi, ekspertët bien dakord se nuk ka arsye për të ulur vigjilencën kur vjen puna tek pandemia.
Një verë e nxehtë mund të bëjë pak më të dukshëm efektin e distancës së rreptë fizike, të testimeve, protokollit të gjurmiimt si dhe ndërhyrjeve të tjera të institucioneve të shëndetit publik. Nga ana tjetër, nëse këto masa janë më të lehta, një kulm në rastet me COVID-19 është i mundshëm, pavarësisht motit.
Është vëzhguar tashmë se ku rihapjet e vendeve janë përputhur me një rritje në shkallët e infeksionit. Të paktën 14 shtete kanë kaluar një kulm të ri rastesh këtë muaj në lidhje me infeksione të reja nga COVID-19.
Nga ana tjetër, shtetet në hemisferën jugore mund të pësojnë një rritje në shkallën e transmetimit ndërsa afrohet dimri. Por, sërish, me shumë gjasa nuk është “dhe aq shumë” krahasuar me efektin e ndërhyrjes së institucioneve të shëndetit public dhe variablave të tjera, ka vënë në dukje Jajali.
Përgjatë muajve të shkuar, shumë ekspertë kanë vënë në dukje se vit ii parë i një epidemie të re është shpesh i paparashikueshëm. Kjo për shkak se njerëzit nuk kanë një imunitet të ndërtuar në trupin e tyre dhe infeksionet kanë tendencën që të depërtojnë në popullatë me shpejtësi marramendëse.
Nëse koronavirusi vërtetë është i ndikuar nga moti, sugjeron studimi, është e mundur që të shfaqë më shumë cikle sezonale në të ardhmen. Por edhe ky fakt është i vështirë për t’u parashikuar, thonë ekspertët. Mënyra se si COVID-19 sillet në të ardhmen gjtihashtu varet fort nga politikat e ardhshme të shëndetit public, duke përfshirë vaksinat e mundshme.
“Shoqëria, dhe mënyra se si vendimmarrësit po i përgjigjen pandemisë, po ndryshon me kalimin e kohës” – thotë Jajali. “Çfarë do të ndodhë në 2 apo 3 vitet e ardhshme është një pikëpyetje e madhe.”