Pretendimi: Patatinat që konsumojmë janë të mbushura me mikroorganizma
Verdikti: E pavërtetë
Të gjithë janë të ndërgjegjësuar se patatinat nuk janë një ushqim i shëndetshëm, por një video që po ndahet së fundi në mediat online pretendon fakte edhe më të rënda. E publikuar në profilin Gazeta Albania në Facebook si dhe faqe me këshilla për ushqimin e shëndetshëm në Instagram, pretendohet se video dëshmon një vëzhgim me mikroskop të patatinave duke shfaqur miliona mikroorganizma parazitarë.
Ajo që vihet re është se video ka marrë mijëra pëlqime dhe qindra komente, duke u bërë një rrezik dezinformimi për qytetarët.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/cc-2.png)
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në një kërkim të bërë online shihet se video është shpërndarë fillimisht në Instagram nga një faqe e quajtur “microzoom.guy”. Personi që administron faqen njihet për krijimin dhe shpërndarjen e videove, ku pretendon se tregon se si janë të infektuara ushqimet e markave të ndryshme.
Mirëpo, një verifikim i bërë nga kolegët e mediave të huaja tregon se pamjet janë të modifikuara dhe nuk i përkasin xhirimeve të bëra për patatinat.
Kjo pasi nuk ka asnjë konfirmim nga ndonjë laborator për ndonjë përmbajtje të tillë për patatinat Pringles. Gjithashtu mënyra se si paraqitet eksperimenti në video nuk është aspak i besueshëm, pasi në një moment jepen patatinat në video dhe më pas në një tjetër plan duken insektet. Mirëpo, kjo nuk dëshmon që pamjet i përkasin ekzaminimit laboratorik të patatinave.
Pra, videoja mbi patatinat e infektuara, ashtu si edhe ato mbi ushqime të tjera të markave të njohura, si ‘Ramen’ apo ‘Oreos’, nga i njëjti autor, nuk vërteton një infektim të vërtetë, pasi nuk është konfirmuar apo certifikuar nga asnjë laborator. Autori ka preferuar të publikojë video sensacionale në rrjetet e tij sociale, me qëllim tërheqjen e sa më shumë ndjekësve.