Pretendimi: Kjo video provon se qeveria ka manipuluar motin që në 1947.
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————-
Një video që duket se tregon tym duke dalë nga bari ndërkohë që bie shi po përdoret në rrjetet konspiracioniste si provë e kontrollit të motit nga qeveria.
Faktoje gjeti videon origjinale duke ndjekur emrin e përdoruesit të TikTok që duket në cepin e poshtëm djathtas në video, @lesli989617537.
Në videon origjinale nuk përmendet asgjë për motin apo kontrollin e tij nga qeveria.
Në komentet e videos, përdoruesja që e ka postuar shpjegon se bëhej fjalë për “një qark të shkurtër në pompën e ujit” dhe “teli që çonte tek [qarku i shkurtër] ishte nën tokë.”
Në një video të postuar 4 ditë më pas, përdoruesja shpjegon sërish se tymi vinte nga një tel elektrik i groposur nën tokë, i cili ishte ngritur në sipërfaqe si pasojë e shiut që parapriu uraganin Milton në Florida. Pasi familja kishte fikur automatin e shtëpisë, tymi kishte ndaluar.