Pretendimi: Kjo video tregon arrestimin e protestuesve kundër emigrimit në Mbretërinë e Bashkuar

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————-

Një video që tregon arrestimin e disa të rinjve nga policia britanike po shpërndahet në rrjete sociale me pretendimin se të arrestuarit ishin protestues kundër politikave të emigrimit.

Postimi i referohet një vale protestash anti-emigrim që përfshiu Mbretërinë e Bashkuar në fund të korrikut 2024, pas një sulmi me thikë që i mori jetën 3 vajzave të vogla në Southport më 29 korrik.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar në 27 qershor 2024, një muaj para nisjes së protestave në fjalë.

Sipas mediave britanike, video në të vërtetë tregon arrestimin e aktivistëve të grupit ambjentalist “Just Stop Oil” më 27 qershor 2024.

E njejta video është shpërndarë edhe nga llogaria e Just Stop Oil në Twitter, më 27 qershor.

Sipas një deklarate nga policia e Hackney, aktivistët u arrestuan nën akuzën e komplotit për të prishur infrastrukturën kombëtare:

“Ne dimë që Just Stop Oil planifikojnë të vandalizojnë aeroporte dhe mijëra pushues këtë verë. Sonte oficerët tanë bënë gjashtë arrestime gjatë një eventi në një qendër komunitare në Londrën lindore. Ne besojmë se disa nga të arrestuarit janë organizatorë kyç për Just Stop Oil. Të gjithë arrestimet u bënë nën një seksion të Aktit të Rendit Publik që e bën të jashtëligjshme të komplotohet për të prishur infrastrukturën kombëtare. Ne do të vijojmë të punojmë me operatorët e aeroporteve dhe të tjerë për të parandaluar trazira domethënëse. Aktivistët nuk kanë të drejtë të kryejnë akte kriminale që mund të rrezikojnë veten dhe të tjerët. Çdokush që prish sigurinë e një aaeroporti të sigurohet se do të trajtohet me shpejtësi dhe fuqishëm.”

20 qershor 2024, dy aktiviste të “Just Stop Oil” u arrestuan nën akuzën se kishin hedhur bojë portokalli mbi avionët privatë në aeroportin Stansed në Essex. Organizata tha se “po kërkonin një traktat urgjent për t’i dhënë fund karburanteve fosile deri në vitin 2030”.