Pretendimi: Kjo video tregon një armë të re që Izraeli po teston në Gaza

Verdikti: E paprovuar

—————————————————-

Një video, ku shfaqet një unazë tymi që pluskon në qiell, po shpërndahet në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, me pretendimin se ajo tregon armë të reja që Izraeli po teston në Gaza.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor, Google Lens, Faktoje gjeti një tjetër imazh të unazës së tymit të postuar nga një përdorues palestinez, shoqëruar me përkshkrimin: “Një raketë tronditi tokën në Deir al-Balah dhe krijoi këtë rreth në qiell. Çfarë janë këto armë të reja që po përdoren dhe lëshohen kundër nesh?”

Sulmi u përmend edhe nga një llogari pro-izraelite që ndau një fotografi të unazës së tymit në Facebook. Ajo ngrihet sipër një reje tymi që ngrihej nga toka, gjë që duket në përputhje me një shpërthim pas një bombardimi.

Sado spektakolare që mund të jetë, një unazë tymi “nuk është tregues i një sistemi të ri armësh” tha Trevor Ball, një ish-teknik i asgjësimit të municioneve shpërthyese të Ushtrisë Amerikane për France 24. “Unazat e tymit janë rezultat i mënyrës se si shpërthimi dhe mjedisi e formësojnë tymin. Çdo shpërthim, në kushtet e duhura, mund të prodhojë një unazë tymi.”

“[Unaza e tymit] me gjasa është më shumë pasojë e kushteve të ngarkesës shpërthyese sesa të natyrës së vetë ngarkesës,” tha për France24 një ekspert eksplozivësh që kërkoi anonimitet.

Konkretisht, që të formohet një unazë tymi, shpërthimi duhet të ndodhë së pari brenda një zgavre vertikale, “për shembull, në fund të një pusi ose një shpimi cilindrik shumë vertikal, por me një dalje në formë hinke,” shpjegon i njëjti ekspert. Në këto kushte, gazrat e djegies mund të dalin vertikalisht duke u sjellë rrotull. Ato më pas formojnë një re tymi në formën e një torusi (unaza e tymit), shpjegon ai. “Fenomeni është i ngjashëm me unazat e tymit që mund të krijojë një duhanpirës.”

Atëherë, çfarë armësh mund të kenë shkaktuar unazën e tymit të dukshme mbi Deir al-Balah?

“Një shpjegim i mundshëm” është se një tunel vertikal u godit nga ushtria izraelite, sugjeron eksperti. “Një mundësi tjetër do të ishte përdorimi i një bombe që depërton në blindazh, gjithashtu për të synuar një objektiv nëntokësor, vrima e hyrjes së së cilës lë një kanal daljeje për gazrat.” Një sulm i tillë mund të ishte kryer me bomba me aftësi shkatërrimi bunkerësh “potencialisht GBU-27, GBU-28 ose GBU-72 të cilat janë të pranishme në arsenalin izraelit,” sugjeron eksperti.

Sipas medias palestineze Quds News, e cila gjithashtu publikoi një fotografi dhe video të unazës së tymit më 9 korrik, “nuk kishte raportime për viktima [nga sulmi] menjëherë.” Megjithatë, Deir al-Balah është shënjestruar ditët e fundit nga sulme vdekjeprurëse nga ushtria izraelite. Të enjten, më 10 korrik, një bombardim pranë një klinike në qytet la 17 persona të vdekur, sipas një raporti nga mbrojtja civile lokale.