Pretendimi: Kjo video tregon një shqiponjë gjigande që u rrëzua në Qarkun Red Hollow, Rruga Pineview
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një shqiponjë gjigande, e cila ishte shfaqur në “Qarkun Red Hollow, Rruga Pineview” e më pas ishte zhdukur para syve të oficerëve të policisë.

Megjithatë, video e mësipërme nuk është autentike. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike që përdorin inteligjencë artificiale (AI).
Një tregues i dukshëm është teksti i përçudnuar që shfaqet në shiritin e verdhë të policisë.

Simbolet e pakuptimta në vend të fjalëve të shkruara me shkronja janë dëshmi e përpjekjes dhe dështimit së programit të inteligjencës artificiale për të gjeneruar tekst koherent brenda një imazhi.
Më tej, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të postuar në Facebook më 24 korrik 2025. Në përshkrimin e videos shpjegohet se ajo është “përmbajtje e gjeneruar me inteligjencë artificiale. Çdo gjë e treguar është trillim dhe nuk përfaqëson ngjarje të vërteta.”

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.