Kjo pamje e vazhdave të avionëve mbi Tokë nuk i përket misionit Artemis II

7

Pretendimi: Ky imazh është një foto nga udhëtimi drejt Hënës i misionit hapësinor të NASA, Artemis II

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se është një foto e shkrepur nga udhëtimi drejt Hënës i misionit hapësinor të NASA, Artemis II.

Megjithatë, nuk jepet ndonjë burim apo referencë që mbështet këtë pretendim.

Në fakt, në faqen zyrtare të Administratës Kombëtare amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA), si dhe në rrjetet e saj sociale, nuk është botuar asnjë foto e tillë, mes pamjeve të planetit Tokë të fotografuar nga dritaret e raketës.

Astronautja e NASA, Christina Koch, specialiste e misionit Artemis II, shikon nga njëra prej dritareve kryesore të kabinës së anijes kozmike Orion të shtunën, më 4 prill 2026, duke parë Tokën, ndërsa ekuipazhi udhëton drejt Hënës. Foto: NASA

Imazhi që po qarkullon në rrjete sociale është postuar fillimisht në platformën X më 5 prill 2026, shoqëruar me përshkrimin: “Ndoshta nëse NASA do të kishte postuar këtë, do ta kisha besuar.”

Imazhi me gjasa është një krijim dixhital, pasi vazhdat e kondensimit që lënë pas avionët që ekzistojnë sot janë shumë të vogla për t’u parë në këtë shkallë. Ato janë nganjëherë të dukshme nga orbita e Tokës, me anë të mjeteve të specializuara, dhe në shkallë zmadhimi më të mëdha se ajo në imazh, si në foton e mëposhtme, të kapur në 2005 nga Spektrometri i  Imazheve me Rezolucion të Mesëm i satelitit vëzhgues Envisat.

Gjurmët e kondensimit të avionëve të dukshme përgjatë Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara në këtë imazh të kapur nga Spektrometri i Imazheve me Rezolucion të Mesëm (MERIS) i Envisat më 19 nëntor 2005, duke punuar në modalitetin e Rezolucionit të Ulur për të ofruar rezolucion hapësinor prej 1200 metrash. Imazhi ka një gjerësi prej 1135 kilometrash.