Pretendimi: Kjo video tregon djegien e selisë qendrore të inteligjencës izraelite në Tel Aviv
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————————–
Një video që është parë mbi 18 mijë herë në Facebook pretendohet se tregon selinë qëndrore të Mossad, shërbimit sekret izraelit, duke u djegur në Tel Aviv.
Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar më parë në platformën X më 11 qershor, përpara se Izraeli të godiste Teheranin, kryeqytetin iranian, me raketa më 13 qershor 2025, duke përshkallëzuar tensionet mes dy vendeve.
Video e postuar më 11 qershor shoqërohet me përshkrimin: “Zjarr masiv në Chongqing të Kinës, i shkaktuar nga shpërthimi i një baterie skuteri elektrik. Flakët u përhapën me shpejtësi në biçikletat aty pranë në zonën e parkimit.”
Sipas mediave ndërkombëtare, një zjarr i madh shpërtheu në një parking motoçikletash në Chongqing, në jugperëndim të Kinës, të mërkurën më 11 qershor 2025. Pamjet tregojnë flakë dhe tym të dendur që ngrihen në qiell, ndërsa kalimtarët shikojnë shpërthimin e flakëve. Zjarri u shua brenda 20 minutash dhe nuk u raportua për viktima, sipas departamentit vendas të zjarrfikësve.
Si përfundim, video që pretendohet se tregon selinë qendrore të Mossad duke u djegur në fakt tregon zjarrin që shpërtheu në një ndërtesë parkimi motoçikletash në Chongqing të Kinës më 11 qershor, përpara nisjes së bombardimeve mes Iranit dhe Izraelit.