Pretendimi: Kjo është prova se zbritja e austronautëve në hënë ka qenë inskenim
Verdikti: I pavërtetë
Vjolanda Peca
Nga data 7-11 qershor, në një sërë profilesh të përdoruesve rusë të Facebook-ut ka qarkulluar një video e zbritjes së astronautëve amerikanë në Hënë në vitin 1969. Postimet pretendojnë se janë origjinale dhe janë nxjerrë nga NASA nga një gjerman 53-vjeçar, i cili u arrestua sepse videoja konfirmoi dyshimet se misioni Apollo 11 ishte i inskenuar.
Në video, shfaqet momenti i atij që duket si astronauti amerikan Neil Armstrong, i cili goditet nga një prozhektor skenik ndërkohë që po xhiron zbritjen nga anija kozmike.
Kjo video që po shpërndahet edhe në rrjetet sociale shqiptare është vërtet e realizuar në një studio televizive, por jo nga NASA.
Ajo u publikua në pranverën e vitit 2002 nga një agjenci britanike (The Viral Factory) për qëllime argëtuese, bazuar në teoritë konspirative dhe fillimisht u postua në www.moontruth.com. Faqja e internetit nuk është më aktive, por një version i arkivuar është i disponueshëm online.
Pjesë e shkëputur nga videoja
Ideja për videon erdhi nga regjisori Adam Stewart, i cili ishte i interesuar për lajmet e hapësirës dhe veçanërisht e argëtonin teoritë konspirative që lidhen me zbritjen në Hënë. Ekipi në “The Viral Factory” besonte se videoja do të bëhej virale, me njerëzit që do ta shihnin dhe do ta ndanin me miqtë e tyre. “Ne qeshnim ndërsa e bënim sepse imagjinonim se si (për shembull) do të reagonin punonjësit e NASA-s. Çfarë dreqin do të mendonin?” thuhet në faqen e internetit.
Në videon e krijuar nga The Viral Factory, aktori që luan njeriun e parë që shkeli në Hënë, Neil Armstrong, përsërit fjalët e tij të famshme: “Ky është një hap i vogël për njeriun, një hap i madh për njerëzimin.”
Agjencia e verifikimit të fakteve Snopes hetoi autenticitetin e kësaj historie. Doli që kjo shaka ka qarkulluar në internet prej shumë vitesh dhe është hedhur poshtë nga transkriptet e misionit Apollo 11 të NASA-s, të cilat tregojnë se Armstrong nuk ka bërë një deklaratë të tillë. Vetë Armstrong tha në fund të vitit 1995 se e kishte dëgjuar për herë të parë këtë histori nga komiku Buddy Hackett, dhe më pas ajo u përhap përmes burimeve të ndryshme. Snopes gjithashtu verifikoi videon e postuar në moonthruth.com në janar 2003 dhe e konfirmoi si të rreme.
Misioni Apollo 11, i udhëhequr nga Neil Armstrong së bashku me Edwin Aldrin dhe Michael Collins, u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy më 16 korrik 1969 dhe më 20 korrik, Neil Armstrong u bë personi i parë që vuri këmbën në Hënë. Pesëmbëdhjetë minuta më vonë, Edwin Aldrin iu bashkua Armstrongut dhe së bashku ngritën flamurin amerikan në Hënë.
Teoritë konspirative rreth zbritjes në Hënë pretendojnë se disa ose të gjithë elementët e programit Apollo 11 ishin të inskenuara nga NASA. Megjithatë, ka dëshmi të mjaftueshme për zbritjen e astronautëve amerikanë në Hënë dhe këto teori konspirative janë hedhur poshtë shumë herë. Që nga fundi i viteve 2000, fotografi me rezolucion të lartë të marra nga Lunar Reconnaissance Orbiter (LRO) kanë kapur gjurmët e lëna nga astronautët e Apollo 11. Në vitin 2012, gjithashtu u publikuan imazhe që tregojnë se flamujt e pesë nga gjashtë misionet Apollo janë ende në vend, përfshirë hapat e parë dhe gjurmët e Neil Armstrong në Hënë.