Pretendimi: Kjo video tregon kometën 3I/ATLAS, e cila aktualisht po shpejton drejt Tokës
Verdikti: E paprovuar
—————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon kometën ndëryjore 3I/ATLAS, “e cila aktualisht po shpejton drejt Tokës.”

Si zakonisht, pretendimi dhe video nuk shoqërohen me ndonjë burim apo referencë mbështetëse.
Megjithatë, lexuesi skeptik do të ketë nisur të dyshojë vërtetësinë e kësaj videoje nga fakti që objekti shumëngjyrëshe spiral që ajo tregon i përngjan më shumë një yjësie, se sa një komete.
Më tej, objekti në video nuk i përngjan 3I/Atlas, siç duket në fotot e konfirmuara si ajo më poshtë, e shkrepur nga teleskopi Gemini Observatory në Kili.

Foto me ngjyra e 3I/ATLAS nga Gemini South Observatory. Yjet janë me vija të ngjyrosura për shkak të ndjekjes së kometës.
Për krahasim, mund të vërreni një imazh të yjësisë NGC 4634 të prodhuar nga Teleskopi Hapësinor Hubble, më poshtë.
Foto e NGC 4634 e prodhuar nga Kamera e Avancuar për Sondazhe e Teleskopit Hapësinor Hubble dhe Kamera Planetare me Fushë të Gjerë 2
Sipas Administratës Kombëtare amerikane të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA), 3I/ATLAS u zbulua për herë të parë më 1 korrik 2025. Forma e rrugës së tij, që dallon nga orbita rreth Diellit, i lejoi astronomët të arrinin në përfundimin se është një objekt ndëryjor, i treti i njohur i asaj klase.
Ndërsa disa nga karakteristikat e tij ende nuk janë përcaktuar, komuniteti shkencor pajtohet që 3I/ATLAS është një kometë. Sipas NASA, “ai ka një bërthamë dhe një komë të akullt (një re e ndritshme gazi dhe pluhuri që rrethon një kometë ndërsa i afrohet Diellit). Kjo është arsyeja pse astronomët e kategorizojnë atë si një kometë.”
Agjencia hapësinore sqaron gjithashtu se 3I/ATLAS nuk përbën rrezik për Tokën. “Edhe pse trajektorja e objektit e sjell atë në sistemin e brendshëm diellor, ai nuk do t’i afrohet Tokës. Ndërsa kometa 3I/ATLAS udhëton nëpër sistemin diellor, ajo nuk do t’i afrohet planetit tonë më shumë se 1.6 au (rreth 150 milionë milje, ose 240 milionë kilometra,” shkruhet në faqen zyrtare të NASA.





