Pretendimi: Ky imazh tregon listën e ‘klientëve’ të pedofilit dhe trafikantit amerikan Jeffrey Epstein
Verdikti: E paprovuar
————————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, po qarkullon një listë emrash që pretendohet se ishin “klientët” e trafikantit të fëmijëve Jeffrey Epstein.
Lista përmban emrat e një numri personazhesh të njohur.
Postimi nuk thotë se nga erdhi lista, por ajo nuk përputhet me asnjë dokument të disponueshëm publikisht nga çështjet penale dhe civile që përfshijnë Epstein dhe ish të dashurën e tij, Ghislaine Maxwell.
Prokurorët federalë në Manhatan e akuzuan Epstein për trafik seksual në vitin 2019, duke thënë se ai drejtonte një rrjet ndërkombëtar duke shënjestruar vajza të mitura me ndihmën e Maxwell. Epstein u vetëvra në vitin 2019 ndërsa ishte në burg në pritje të gjyqit. Maxwell u dënua në 2022 me 20 vjet burg. Të dhënat e publikuara në vitet e ndërmjetme treguan lidhje, disa të dobëta, me figura të shquara publike.
Dokumentet e publikuara më 3 dhe 4 janar nga Gjykata e Qarkut të New York përmbajnë emra të figurave publike që ishin përmendur në lidhje me një padi të ngritur nga një grua që pretendonte se ishte trafikuar nga Maxwell dhe Epstein. Emrat përfshijnë disa individë që mund të mos kenë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me Epstein, por janë diskutuar si dëshmitarë të mundshëm.
Gjatë gjyqit të Maxwell, ish-piloti i Epstein, Lawrence Paul Visoski Jr. tha se pasagjerët që kishte fluturuar drejt ishullit privat të Epstein përfshinin Donald Trump, Bill Clinton, Bill Gates, Robert F. Kennedy Jr., Princin Andrew dhe Kevin Spacey.
Shumica dërrmuese e emrave në postim nuk figurojnë në procesverbalet e gjykatës.
Në vitin 2021, prokurorët në çështjen penale kundër Maxwell bënë publikë regjistrat e fluturimeve të mbajtura nga piloti i Epstein. Disa nga ato regjistrime identifikuan pasagjerë si Maxwell dhe Princi Andrew, të cilët kanë pranuar se ishin në ishull, por regjistrat përsëri kryesisht nuk përputhen me listën në postim.