Kjo foto nuk i përket shënjestrës së atentatit në hyrje të Rinasit

11

Pretendimi: Kjo foto tregon Gilmando Danin, viktimën e atentatit që ndodhi në Rinas

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Pas atentatit që ndodhi më 11 nëntor 2025 afër aeroportit të Rinasit, mediat shqipfolëse nxituan të botonin emrin, foton dhe historinë kriminale të viktimës, Gilmando Dani. Megjithatë, disa prej tyre botuan foton e gabuar.

Për fat të mirë, personi në foton e përdorur nga artikujt e mësipërm nuk ka humbur jetën. Kjo sepse ai nuk është Gilmando Dani. 

Siç sqarohet nga gazetari Artan Hoxha, në fakt ai është Dritan Hate. “Këto foto janë bërë gjatë arrestimit nga reparti special RENEA më 11 shkurt 2006,” shkruan Hoxha, i cili ka botuar një foto të vërtetë të Gilmando Danit në faqen e tij në Facebook.

Postimi i gazetarit Artan Hoxha ku identifikohen Dritan Hate (majtas) dhe Gilmando Dani (djathtas)

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme është botuar në një numër artikujsh nga viti 2016 që raportojnë lirimin nga burgu të pjesëtarit të organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi”, Dritan Hate.

Foto të tjera të Dritan Hates dëshmojnë se foto që po qarkullon në media është e tij.

Gilmando Dani tregohet në imazhin e mëposhtëm në mosha të ndryshme.

2006, Dritan Hate u arrestua së bashku me Emiljano Shullazin dhe Gilmando Danin. “Në banesën ku të pandehurit u kapën u gjet një arsenal i tëra armësh, municionesh dhe pajisjesh policore, për këtë Emiljano Shullazi u dënua më 3 vjet burg, Hate me 1 vit e gjysmë dhe Gilmando Dani me 4 vjet heqje lirie,” raportonte TV Klan në atë kohë.