Kjo foto e Michael Jackson nuk provon shtretërit çudibërës ‘medbed’

7

Pretendimi: Kjo foto tregon Michael Jackson në një shtrat mjekësor ‘medbed’

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————

Një foto e këngëtarit të ndjerë amerikan Michael Jackson po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, shoqëruar me përshkrimin “med beds.”

“Shtretërit mjekësorë”, në anglisht “medbeds”, janë një koncept që e ka origjinën tek ndjekësit e teorisë konspirative QAnon, sipas së cilëve medbeds janë zhvilluar nga ushtria (në disa versione duke përdorur teknologji aliene) dhe janë duke u përdorur tashmë nga familjet më të pasura dhe të fuqishme në botë. Sipas disa ndjekësve, kur Donald Trump do të bëhet president do të zbulonte ekzistencën e këtyre pajisjeve dhe do t’i bënte falas për gjithë amerikanët.

Sigurisht, për të mbështetur këto pretendime të jashtëzakonshme nuk ofrohet asnjë provë.

Nuk ka asnjë literaturë nga komuniteti mjekësor global që thotë se një pajisje e tillë ekziston. As shkenca për të krijuar një pajisje të tillë, e cila tingëllon sikur ka dalë nga ndonjë film fantastiko-shkencor, nuk ekziston. Nuk ka asnjë mënyrë të njohur për të kthyer pas plakjen.

Teoria konspirative e medbeds “shërben për dy qëllime profetike”, tha për The Daily Beast Sara Aniano, nga Universiteti Monmouth, që studion retorikën e së djathtës ekstreme dhe ka dokumentuar përhapjen e mitit të medbeds.

Nga njëra anë ajo premton një të ardhme të afërt në të cilën kompanitë e mëdha farmaceutike janë të panevojshme. “Pastaj sigurisht që është tërheqja më e dukshme e të paturit një makineri magjike, versionet e së cilës mund të të diagnostikojnë menjëherë ose të të shërojnë menjëherë”, tha Aniano. “Disa mund të rrisin përsëri pjesë të humbura të trupit. Pra, padyshim, ka shumë shpresë që i shërben një narrative shumë tërheqëse për ata që e besojnë këtë.”

Ndërsa foto e mësipërme nuk tregon këngëtarin Michael Jackson në një pajisje çudibërëse medbed, por në një dhomë hiperbarike.

Dhomat hiperbarike përdoren për të trajtuar viktimat e djegieve, helmimit nga monoksidi i karbonit, gangrenës me gaz dhe sëmundjes së dekompresionit. Dhomat e mbyllin pacientin në një atmosferë me 100 për qind oksigjen.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme u botua për herë të parë në gazetën National Enquirer në 1986. 

Artikulli, të cilin ato shoqëronin, pretendonte se Jackson flinte në një dhomë hiperbarike për të ngadalësuar procesin e plakjes dhe për t’i zgjatur jetën. 

Në vitin 1985, Michael Jackson dhuroi 1.5 milion dollarë për Spitalin Memorial Brotman për të ngritur Qendrën e Djegieve Michael Jackson. Ishte e njëjta strukturë ku ai ishte trajtuar pasi pësoi djegie të rënda gjatë xhirimeve të një reklame për Pepsi. 

Jackson vizitoi spitalin pas blerjes dhe pozoi për disa fotografi i shtrirë në dhomë me sytë mbyllur. Fotot u botuan nga National Enquirer.

National Enquirer “citoi” Jackson duke predikuar përfitimet e dhomës, por Jackson më vonë e hodhi poshtë historinë, duke deklaruar: “Budallallëk, kjo është budallallëk. Është tërësisht e sajuar.”

Më vonë u zbulua se Jackson, me ndihmën e publicistit Michael Levine, i publikoi vetë fotot për të ndihmuar në promovimin e filmit të tij të fundit në atë kohë, Captain EO. Jackson më vonë e mori pajisjen nga spitali dhe me sa duket e përdori atë.