Pretendimi: Kjo foto tregon një vogëlushe në Gaza që i jep bukë gazetarit
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Foto e një vajze të vogël po shpërndahet në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, me pretendimin se ajo është një vogëlushe në Gaza e cila “i jep bukë gazetarit duke menduar se edhe ai është i uritur.”
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se foto e mësipërme është postuar në rrjet të paktën që në vitin 2015, përpara bllokadës izraelite të Gazës. Megjithëse nuk arritëm të gjejmë prejardhjen e fotos, kush e ka shkrepur, kur dhe ku, çfarë është e sigurt është se ajo nuk tregon një vogëlushe në Gaza në vitin 2025.
Në përshkrimin që shoqëron postimin e shtatorit 2015 nënkuptohet se vogëlushja është nga ose në Siri.
Palestinezët në të gjithë Gazën po vuajnë nga uria dhe mungesa e domosdoshmërive të tjera. Rripi i Gazës mbetet në prag të urisë si rezultat i mbylljes dhe bllokadës nga Izraeli, si dhe kufizimeve të vazhdueshme të paligjshme në hyrjen dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare.
Për 11 javë, Izraeli bllokoi të gjitha ushqimet, ilaçet dhe furnizimet e tjera që të hynin në Gaza, duke akuzuar Hamasin për devijim të ndihmës për të financuar aktivitetet e tij ushtarake dhe të tjera, megjithëse OKB tha se sistemet e saj të monitorimit ishin të fuqishme. Që nga mesi i majit, Izraeli ka lejuar hyrjen e një sasie të vogël ndihme, përfshirë furnizime mjekësore.
Zyrtarët mjekësorë, punonjësit humanitarë dhe mjekët në Gaza kanë deklaruar se janë të mbingarkuar nga “incidente masive viktimash” pothuajse të përditshme, ndërsa përpiqen të përballen me të plagosurit nga zjarri izraelit ndaj palestinezëve që kërkojnë ndihmë.
Mjekët thonë se shumë nga njerëzit që po trajtojnë përshkruajnë se janë qëlluar ndërsa përpiqen të arrijnë në vendet e shpërndarjes të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një organizatë sekrete e mbështetur nga ShBA dhe Izraeli që filloi shpërndarjen e ushqimit në fund të Majit 2025.
Grupet kryesore humanitare dhe të të drejtave të njeriut kanë kërkuar mbylljen e menjëhershme të GHF, të cilën e akuzojnë për “kufizimin e dy milionë njerëzve në zona të mbipopulluara dhe të militarizuara, ku përballen me të shtëna të përditshme dhe viktima masive.” Amnesty International i ka përshkruar veprimet e grupit si një “skemë militarizuar çnjerëzore dhe vdekjeprurëse”.
Që nga fillimi i sistemit të ri të shpërndarjes së ushqimit, të cilin Izraeli e quan të nevojshëm për të parandaluar që Hamasi të devijojë ndihmën humanitare, spitali në Rafah, në jug të Gazës, ka trajtuar më shumë se 2200 pacientë të plagosur nga armët dhe ka regjistruar më shumë se 200 vdekje.
Sipas UNICEF, numri i fëmijëve të kequshqyer në Rripin e Gazës po rritet me një ritëm alarmues, me 5119 fëmijë të moshës 6 muajsh-5 vjeç të shtruar në spital për trajtim për kequshqyerje akute vetëm në maj.