Kjo bebe në shoqërinë e Epstein asnjë lidhje me kryetarin Mamdani

12

Pretendimi: Ky imazh tregon kryebashkiakun e tanishëm të Nju Jork, Zohran Mamdani, si bebe bashkë me nënën e tij dhe pedofilin dhe trafikantin Jeffrey Epstein

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

——————————————————-

Pasi Departamenti amerikan i Drejtësisë finalizoi publikimin e dosjeve që lidhen me trafikantin seksual Jeffrey Epstein, duke publikuar më shumë se 3 milionë dokumente, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, nisi të qarkullonte një imazh që pretendohet se tregon kryebashkiakun e tanishëm të Nju Jork si bebe, nënën e tij, Epstein, dhe ish-presidentin amerikan Bill Clinton.

Megjithatë, imazhi i mësipërm është i gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Së pari, ashtu si në shënimin e platformës X që shoqëron këtë foto, Mamdani ka lindur në vitin 1991. Në momentin që mamaja e tij, regjizorja Mira Nair, presupozohet se mori pjesë në një festë për promovimin e filmit të saj së bashku me Epstein, në vitin 2009, kryetari i sotëm i bashkisë së Neë Yorkut duhet të ishte 18 vjeç dhe jo një bebe në duart e nënës së tij. 

Më tej, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm është postuar fillimisht në rrjet nga profili @DumbFckFinder. Në imazh, mbi xhepin e këmishës së ’Clinton’, dallohet dhe firma e tij dixhitale që shkruan DFF.

Llogaria @DumbFckFinder është etiketuar si një llogari parodi që e përshkruan veten në këtë mënyrë:

“Duke ndihmuar Amerikën të çlirohet nga budallallëku, nga një budalla me radhë, majtas, djathtas, i gjejmë të gjithë dhe i ekspozojmë përmes videove dhe memeve me AI me cilësi të lartë. Llogari alternative.”

Në një postim pasardhës DFF shkroi: “Dreqin, dështuat djema🤣🤣🤣 Qëllimisht e bëra atë bebe, gjë që teknikisht do ta bënte këtë foto 34 vjeçare. Çfarë tmerri!”

i

Imazhi i mësipërm nuk gjendet në asnjë nga dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë në lidhje me Epstein.

Më tej, një kërkim pamor me Google Lens tregoi se imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI.” Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.

Përpjekjet për ta lidhur Mamdanin me Epstein erdhën pasi emri i nënës së tij, Mira Nair, u zbulua në disa emaile midis miliona dokumenteve të publikuara më 30 janar 2026.

Emri i saj ishte në ftesat e dërguara me email dhe listat e të ftuarve të shkruara nga publicistja Peggy Siegal për një festë në shtëpinë e bashkëpunëtores së Epstein, Ghislaine Maxwell në Nju Jork për filmin Amelia“, një film biografik për piloten amerikane Amelia Earhart me regji nga Nair.

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton shfaqet vërtet në fotot e publikuara si pjesë e dosjeve Epstein.