Pretendimi: Një burrë i quajtur Mike Degruy zbuloi ujë nën ujë dhe për këtë e vranë
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Një video që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, pretendon se një njeri i quajtur Mike Degruy “zbuloi ujë nën ujë dhe për këtë të vërtetë e vranë.”

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video tregon kineastin Mike deGruy duke folur për punën e tij duke filmuar nën ujë në Gjirin e Meksikës për serialin “Blue Planet” të BBC në vitin 2001.
Ai flet për mrekullitë e një liqeni nënujor me ujë të kripur që ai dhe anëtarët e ekipit të tij panë dhe vështirësitë e tyre gjatë xhirimit të tij.
Megjithatë, vdekja e deGruy nuk është as konspirative dhe as e lidhur me xhirimet e tij të këtij liqeni me kripë.
DeGruy vdiq më 4 shkurt 2012 në moshën 60 vjeçare, në një përplasje helikopteri në Australi, 11 vjet pasi u publikua “Blue Planet”. Bashkë me të ndodhej regjisori australian Andrew Wight, 52 vjeç, i cili po pilotonte helikopterin. Të dy ishin bashkëpunëtorë me regjisorin e “Titanic”, James Cameron, dhe treshja ndante një pasion për eksplorimin nënujor.
Më tej, Mike deGruy nuk “zbuloi ujë nën ujë.” Liqenet nënujore janë një fenomen i njohur dhe i studiuar nga një sërë shkencëtarësh. Në 1967 oqeanografi anglez Henry Charnock përshkroi atë që tani mund të identifikohet si një liqen nënujor në Detin e Kuq.
Liqenet nënujore formohen kur depozitat e kripës të varrosura nën shtratin e detit treten dhe rrjedhin lart, duke u mbledhur në pellgje natyrore. Meqenëse ky ujë i kripur është më i rëndë se uji normal i detit, ai qëndron në vend si vaji në një tigan, duke krijuar brigje nënujore dhe rryma të vetat.

Një liqen nënujor i zbuluar nga shkencëtarët në 2022 në Detin e Kuq
Kripësia e lartë dhe mungesa e oksigjenit mbështesin mikrobe që tolerojnë kushte shumë më të ashpra se ato në detet e zakonshme. Pellgjet me ujë të kripur gjenden zakonisht nën akullin polar të detit dhe në oqeanin e thellë.

Model i një liqeni nënujor në Gjirin e Meksikës
Këto anomali i rezistojnë përzierjes me oqeanin përreth, nuk përmbajnë oksigjen dhe krijojnë përzierje kimike që do të shkatërronin shumicën e jetës detare.





