Pretendimi: Kjo video tregon avionë kinezë që thyjenë bllokadën izraelite dhe hedhin ndihma në Gaza

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————–

Një video që është parë mbi 250 mijë herë e postuar në Facebook nga portali TVA News pretendohet se tregon pamje të avionëve kinezë që hedhin ndihma në Gaza, megjithëse Izraeli ka bllokuar rrugët tokësore.

Rreth sekondës 00:11, video ka një shkrirje që bashkon dy klipe të ndryshme. Megjithatë, asnjëra prej tyre nuk tregon avionë kinezë duke hedhur ndihma në Gaza.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi i parë me gjasa tregon stërvitje të përbashkëta të forcave ajrore kineze dhe egjiptiane mbi Piramidat e Gizës, maja e një prej së cilave duket edhe në videon që po qarkullon në rrjet.

Këto ushtrime zgjatën 18 ditë, nga 19 prilli deri më 4 maj, duke shënuar përfundimin e programit të parë të stërvitjes ushtarake të Kinës me Egjiptin.

Disa nga pamjet në klip u kapën nga një kënd tjetër nga fotografi egjiptian Ahmad Attar, i cili i postoi ato më 2 maj.

Ndërkaq, pamjet e ndihmave të hedhura më parashuta, nga klipi i dytë shfaqen në një video të publikuar nga faqja turke Yeni Safak mbi një vit më parë, më 26 mars 2024. Ndërsa faqja nuk specifikon se cili vend hodhi ndihmat, përmend se hedhja nga ajri u zhvillua në Gazën veriore dhe se pjesa më e madhe e ndihmave ra në det. Gjithashtu përmendi se frymëmarrje artificiale u krye ndaj dy palestinezëve, të cilët u mbytën ndërsa merrnin ndihma nga deti.

Pamje nga video që po qarkullon në rrjet (majtas) dhe nga Yeni Safak (djathtas)

E njëjta pamje e kullës shfaqet në një raportim nga The Guardian, botuar në të njëjtën datë, me titull “Dymbëdhjetë persona raportohet se u mbytën në një plazh të Gazës duke u përpjekur të arrinin te vendi i dërgimit të ndihmave”.

Pamje nga The Guardian

Sipas The Guardian, një copë letër e gjetur nga hedhja e ndihmave nga ajri mbante një tekst në arabisht të mbivendosur mbi një flamur amerikan, duke treguar se ndihma ishte nga Shtetet e Bashkuara.

Një raportim i CNN, gjithashtu i datës 26 mars 2024, njoftonte se të paktën 12 persona u mbytën në brigjet e Gazës ndërsa përpiqeshin të merrnin pakot e ndihmës që ishin hedhur nga ajri në det, sipas mjekëve palestinezë.

Pas incidentit, Hamasi dënoi hedhjet nga ajri, duke i përshkruar ato si “ofenduese, të gabuara, të papërshtatshme dhe të padobishme” dhe bëri thirrje që ato të ndaleshin.

Nuk ka raportime të besueshme që konfirmojnë se Kina ka hedhur ndihma nga ajri në rajon. Në vend të kësaj, Kina ka ofruar ndihmë ekskluzivisht përmes UNRWA dhe organizatave të tjera humanitare. Dërgesa më e fundit e konfirmuar, 60 mijë pako ushqimore të njoftuara në fillim të Marsit 2025, u shpërnda përmes këtyre agjencive dhe jo nga ajri.

Më 13 maj 2025, në Këshillin e Sigurimit të OKB, Kina bëri thirrje për masa urgjente ndërkombëtare për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza. Ajo dënoi bllokadën dhe operacionet ushtarake të Izraelit, hodhi poshtë politizimin e ndihmës dhe rikonfirmoi mbështetjen për një zgjidhje me dy shtete, duke kërkuar pajtueshmëri me ligjin ndërkombëtar.

Sipas UNRWA, asnjë ndihmë nuk ka hyrë në Gaza që nga 2 Marsi, duke lënë popullatën pa furnizimet thelbësore, ushqim, karburant, ndihmë mjekësore dhe vaksina për fëmijët. Në një intervistë për BBC, Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA, Philippe Lazzarini, paralajmëroi se përdorimi i ndihmës si armë “mund të kualifikohet si krim lufte.”

Që nga prishja e armëpushimit të dytë më 18 mars, Izraeli ka shtrënguar bllokadën dhe ka intensifikuar operacionet ushtarake, duke vrarë 3.131 palestinezë dhe duke plagosur 8.632 të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të vrarëve që nga 7 tetori 2023 në 53.272, me 120.673 të plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.