Pretendimi: Kjo video tregon pajisje të avancuara teknologjikisht të përdorura në të kaluarën, të cilat na janë fshehur

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————–

Në rrjete sociale po qarkullojnë një sërë imazhesh të pajisjeve të avancuara teknologjike, si celularët, që i përngjajnë në pamje një stili artistik viktorian ose barok. Ato shoqërohen me përshkrimin “Na i kanë fshehur si shumë gjëra të tjera.”

Postimi i mësipërm duket se nënkupton se teknologjia e avancuar e pajisjeve ka ekzistuar përpara kohës kur ‘na është thënë’ se janë shpikur.

Megjithatë, asnjë nga këto imazhe nuk tregon pajisje të krijuara përpara vitit 2000. 

Ajo që me gjasa ka ngatërruar përdoruesit e rrjeteve sociale është pamja ‘e vjetër’ e pajisjeve. Kjo pamje është e qëllimshme, dhe karakterizon stilin ‘steampunk’. Steampunk ben pjesë në zhanret fantastiko-shkencore dhe përfshin teknologjinë dhe estetikën retro-futuriste të frymëzuar nga dizajni i makinerive industriale me avull të shekullit XIX.

Imazhi i parë është një krijim i dizajnerit kroat Ivan Mavrovic, i cili ka zbukuruar një celular klasik Nokia në stilin ‘steampunk’ dhe e ka postuar në blogun e tij që në 2009.

Imazhi i dytë është një skulpturë e artistit amerikan Dave Duros, siç shfaqet edhe në faqen e tij të internetit. 

Imazhi i tretë është po ashtu krijim i dizajnerit Mavrovic, i cili e ka postuar në blogun e tij që në 2008.

Imazhi i katërt tregon një “koncept të projektuar nga Richard Clarkson që kombinon dhe sintetizon teknologjitë dixhitale dhe sistemet fizike-mekanike në mënyrë që të nxjerrë më shumë vlerë në objektet tona të përditshme.” Ai është krijuar në 2011.