Pretendimi: Udhëtimi në Hënë nuk ka ndodhur, por është filmuar në Hollywood
Verdikti: I pavërtetë
Në Facebook qarkullojnë shpesh postime dhe video, të cilat pretendojnë se shkelja e njeriut në Hënë në 20 korrik 1969 është nje teori konspiracioni dhe nuk ka ndodhur me të vërtetë. Së fundmi, një video me titra në spanjisht është publikuar nga një faqe shqipfolëse në rrjet. Në këtë video, tregohen pamje nga një shesh xhirimi ku po montohet një skenë për mbërritjen në Hënë, e ndjekur më pas nga imazhet e dy astronautëve duke ecur në hapësirë. Postuesi i kësaj videoje pretendon se kjo tregon që udhëtimi në Hënë nuk ka ndodhur, po është një trillim i krijuar nga studiot e Hollywood.

Në fakt, burime të tjera kanë konfirmuar se këto klipe janë zgjedhur qëllimisht për të mashtruar publikun. Siç e tregon verifikuesja e fakteve nga Belgjika, Knack.be, kjo video ka qarkulluar fillimisht në Telegram, ku persona të ndryshëm kanë pretenduar se regjizori i famshëm Stanley Kubrick kishte marrë pjesë në inskenimit e shkeljes së njeriut në Hënë. Në fakt, siç raporton Knack, pjesa e parë e videos (deri në minutin 1:25) nuk ka të bëjë fare me udhëtimin në Hënë, po vjen nga filmi First Man i vitit 2018, siç mund të shihet nga krahasimi midis klipit në Facebook dhe videos ku tregohet sesi filmi është prodhuar.

Pamje nga Facebook

Ndërkohë pjesa e dytë e klipit vjen nga një video e dy astronautëve amerikane përgjatë një vizite tjetër në Hënë, si pjesë e misionit të Apollo 16, në prillin e vitit 1972. Gjatë kësaj pjese të videos shohim fjalët “seems fake” (duket fallco) pasi astronautët rrëzohen ndërkohë që ecin. Megjithatë, kjo ndodh pasi forca e gravitetit në Hënë është vetëm 1.625 m/s² në krahasim me atë në tokë prej 10 m/s². Këtu bëhet fjalë për një diferencë prej tetë herësh me vlerën e Tokës, e cila ndikon tek lëvizja e trupit të astronautëve në sipërfaqen e Hënës.
Ky lloj klipi është pjesë e një grupi teorish konspiracioni shumë popullore në rrjet. Një hetim i Reuters në vitin 2021 tregon sesi këto video të rreme përdorën pamje nga filmat, së bashku me pamje reale nga udhëtime hapësinore për të hutuar publikun. Në rastin e shqyrtuar nga Reuters, një video e ngjashme me të mësipërme kishte përdorur klipe nga filmi 1979 Capricorn One për të pretenduar në mënyrë të rreme se udhëtimi në Hënë nuk ka ndodhur me të vërtetë.