Pretendimi: Ky imazh tregon një grup punëtoresh pastrimi
Verdikti: E pavërtetë
————————————————–
Një imazh që ka marrë mbi 19 mijë pëlqime dhe 2 mijë komente në Facebook pretendon se tregon një grup punëtoresh pastrimi, të përbërë nga vajza të reja dhe të pashme, ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shohim në këtë profesion.
Një pjesë e madhe e komenteve shprehin vlerësim për këto vajza që kanë pranuar të punojnë si pastruese dhe i përshëndesin ato.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi është postuar në rrjet për herë të parë më 30 qershor në Facebook.
Imazhi i mësipërm shoqërohet me shënimin: “Skenë ilustruese e gjeneruar dixhitalisht.” Ky imazh është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI). Punëtoret e pastrimit nuk ekzistojnë.
Këto video janë shembuj i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në “llum AI.”
Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.
Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit, si dashamirësia për një grup punëtoresh pastrimi simpatike.
Llumi AI që nxit komplimente, simpati dhe urime në tekstin shoqërues merr shumë angazhim. Postime të tilla mund të dallohen nga fjali si “E bëra me duart e mia, por jam i trishtuar sepse askush nuk e pëlqeu punën time”, “Sot është ditëlindja ime” ose “Nuk do të pendoheni kurrë që e keni pëlqyer këtë foto”.
Shembuj të llumit AI në Facebook
Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.