Pretendimi: Kjo video tregon bombën nukleare të Iranit
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————–
Një video që është parë mbi një milion herë në Facebook pretendohet se tregon “bombën nukleare” të Iranit që “kërcënon botën me një sustë.”
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon ndonjë bombë, aq më pak nukleare, por një reaktor gjigand industrial.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se makineria gjigande nuk ishte nxjerrë në skenë së fundmi nga Irani për të tronditur botën, por video të saj qarkullonin në rrjet që në 2024.
Në prill 2024, video të pajisjes gjigande u postuan në Instagram nga road_boy_iran, një transportues që parashikonte se do ta dërgonte pajisjen në destinacion brenda qershorit 2024.
Nëse kjo pajisje do të ishtë bombë bërthamore, vështirë se regjimi iranian do të lejonte dekonspirimin e lëvizjeve të saj nga një kamionist në Instagram.
Foto të të njejtës pajisje u postuan në korrik 2024 nga një inxhinier iranian, i cili shpjegonte në përshkrimin shoqërues se pajisja ishte një “reaktor reduktimi i hekurit sfungjer”, i cili pritej “të krijojë një kapacitet prodhimi prej 2 milionë ton hekuri sfungjer në vit në Uzinën e Çelikut Iranian Butia të vendosur në Chatroud, Kerman.”
Si një provë e mëtejshme, në fotot e mëposhtme mund të konstatohet pamja e një tjetër reaktori të tillë, të prodhuar në 2011 nga Tenova HYL për kompaninë amerikane të çelikut Nucor Corporation.