Pretendimi: Këto pamje i përkasin protestave të fundit në Egjipt kundër qeverisë
Verdikti: Mungon konteksti
Në postime të ndryshme të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë, janë publikuar pamje që pretendohet se i përkasin protestave të zhvilluara gjatë muajit dhjetor 2024 në Egjipt.
Pamjet shoqërohen me pëshkrime të ndryshe, si: “Trazirat në rrugët e Kajros po zgjerohen gradualisht, me forcat e sigurisë që mbeten pasive për momentin”.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në një prej videove shihet një turmë duke brohoritur dhe një pankartë e madhe në sfond. Në këtë pankartë shfaqet presidenti egjiptian Fattah as-Sisi. Ky i fundit ka shërbyer si president i Egjiptit që prej vitit 2014.
Ne bëmë një verifikim të këtyre pamjeve nëpërmjet mjeteve të verifikimit të imazheve, ku rezultoi se në fakt pamjet nuk i përkasin protestave aktuale në Egjipt.
Video është xhiruar në vitit 2019 dhe tregon një protestë anti-qeveritare në Demietta, Egjipt në vitin 2019.
Në përshkrimin që shoqëron videon thuhet: “Turmat e demonstruesve nga qyteti i Damietta, në veri të Kajros, rrëzojnë një pankartë të madhe të Al-Sisi”.
Gjithashtu, në një kërkim të bërë në internet, nuk ka raportime nga mediat ndërkombëtare në lidhje me protesta në Egjipt në fund të muajit dhjetor.
Mediat ndërkombëtare raportuan në vitin 2019 për protesta kundër presidentit egjiptian dhe qeverisë së tij për korrupsion, organizuar në Kajro, por edhe në qytete të tjera egjiptiane, duke përfshirë Damietta.
Këto pamje, të cilat pretendohet se i përkasin vitit 2024 janë verifikuar edhe nga kolegët e Reuters dhe CNN, të cilët kanë provuar se janë video nga protesta e vitit 2019 në Egjipt.