Këto mace që kalojnë rrugën në rresht janë të gjeneruara

13

Pretendimi: Kjo video tregon një grup kotelesh të maces së egër Manul (Pallas’s cat) që vendos të kalojë rrugën përpara një makine

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

—————————————————–

Një video që ka marrë dhjetëra mijëra pëlqime në Instagram pretendohet se tregon një moment të adhurueshëm kur një tufë kotelesh qimegjata të maces së egër Manul kalojnë rrugën përpara një makine.

Megjithatë, kjo video e ëmbël nuk është reale. Ajo është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në TikTok më 4 janar 2026.

Ajo është pjesë e një kolazhi videosh, e para prej të cilave duket se tregon një qen që ngre putrën për të ndaluar trafikun, në mënyrë që të kalojnë katër kotele.

Pamundësia e këtij skenari, sado i adhurueshëm, tregon se videot nuk janë të vërteta, por janë gjeneruar me AI.

Më tej, llogaria me mbi 1 milion ndjekës në Tik Tok që ka postuar videon duket se poston ekskluzivisht përmbajtje të adhurueshme me kafshë, te gjeneruara me AI.

Në përshkrimin e videos përfshihet etiketimi “TikTok Creator Search Insights Incentive”, një program monetizimi i krijuar për postuesit e TikTok që të fitojnë shpërblime më të larta përmes përmbajtjeve që postojnë, duke paguar afërsisht $0.40–$1 për 1 mijë shikime.

Pra, llogaria që poston përmbajtet e gjeneruara me AI paguhet për sa më shumë shikime që marrin videot e saj.

Kështu, publikimi dhe përhapja e videove të rreme të dizenjuara për të tërhequr vëmendjen dhe provokuar kureshtjen e publikut tashmë ka pas edhe incentivë monetare, një arsye më shumë për lexuesin të presë me skepticizëm video të tilla.

Kjo video është shembull i çfarë është quajtur ‘AI slop’ që përkthehet në llum AI.” 

Llum AI quhen imazhe, video apo shkrime me cilësi të ulët të krijuara duke përdorur teknologjinë gjeneruese të inteligjencës artificiale dhe të karakterizuara nga një mungesë e theksuar e përpjekjes, logjikës ose kuptimit.

Llumi AI në Facebook zakonisht ka për qëllim mbledhjen e sa më shumë komenteve, e kështu zakonisht konsiston në imazhe, dhe histori shoqëruese, që ngjallin emocione të forta tek njerëzit.

Për të parandaluar që përmbajtje të tilla të keqinterpretohen, është e rëndësishme që çdo video, foto ose material tjetër i gjeneruar ose i manipuluar me inteligjencë artificiale të shënohet si i tillë. Kjo do të ndihmojë në informimin e audiencës dhe në mbrojtjen e tyre nga dezinformimi. Facebook i detyron përdoruesit të etiketojnë imazhet dhe videot e gjeneruara me AI si të tilla.

Sa i përket maceve Manul, ato nuk janë të përshtatshme për kafshë shtëpiake. Sipas kopshtit zoologjik të Institutit Smithsonian në ShBA, “macet e Pallas nuk janë zbutur kurrë dhe janë shumë territoriale. Ashtu si shumë mace të egra, ato mund të bëhen agresive kur kërcënohen.”