Këto korba që pushtojnë qytetin nuk kanë lidhje me Tel Avivin

9

Pretendimi: Kjo video tregon “re të zeza” sorrash që kanë pushtuar Tel Avivin në mars 2026

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————-

Një video që tregon tufa zogjsh të zinj që ulen në rrugë dhe mbi makina po qarkullon në rrjet në mars 2026 me pretendimin se ajo është xhiruar në Tel Aviv, Izrael, ku mijëra sorra kanë pushtuar rrugët e qytetit. Video ndahet në portale si një fenomen i çuditshëm apo i lidhur me shenja të ndonjë fatkeqësie që mund të trokasë në qytet këto ditë sulmesh të raketave iraniane. 

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar në rrjet që në vitin 2024. Sipas përshkrimit që shoqëron postimin në Reddit, video është xhiruar në Texas, ShBA. Video është postuar edhe në Instagram më 6 janar 2024, me përshkrimin: “1000 korba pushtojnë parkingun e një supermarketi në Texas.”

Artikuj nga mediat amerikane në atë kohë konfirmojnë se, në 2 janar 2024, “qindra zogj zbritën në një parking në Teksas, duke krijuar një skenë që i përngjan një filmi horror.”

Zogjtë e zinj, të njohur si grackle me bisht të madh, mund të gjenden në çdo zonë të banuar nga njerëzit me disa pemë, sipas Houston Audubon. Ata janë shpend shumë të zakonshëm për t’u parë në zonën e Houston. Sipas Houston Audubon, këta zogj kënaqen duke u mbledhur në parkingjet e qendrave tregtare dhe restoranteve ku ka ushqim të bollshëm dhe shumë vende për t’u ulur.