Pretendimi: Ushtarët izraelitë po përgatisin kurthe brenda ndihmave humanitare në Gaza

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Një video e postuar në një llogari shqipfolëse në Facebook  pretendon se tregon ushtarë të Forcave Mbrojtëse Izraelite (IDF) duke përgatitur “kurthe eksplozivi” brenda ndihmave humanitare në Gaza. Në pamje shihen disa ushtarë që po lidhin me detonatorë dhe kabllo ndezëse që përdoren në këto raste dhjetra fuçi plastike në ngjyrë blu. Pretendimi, i publikuar në 27 qershor, është pjesë e akuzave për sulme të qëllimshme nga ushtria izraelite ndaj popullsisë civile palestineve në pikat e ngritura në Gaza për shpërndarjen e ushqimeve dhe ndihmave të tjera humanitare. Nëse një pretendim i tillë do të ishte i vërtetë, do të ndodheshim përpara një prove të rëndë të një masakre ndaj civilëve palestinezë në Gaza.

Verifikimi nëpërmjet motorrëve të kërkimit të Google Lens zbulon se qarkullojnë disa video dhe imazhe të tilla të reparteve ushtarake izralite në Gaza. Në ditët e fundit të qershorit, kjo video është ripublikuar duke argumentuar se tregon ushtarët e vrarë në një sulm kurth të Hamas. Raportohet se shtatë ushtarë të IDF u vranë dhe 16 u plagosën në këtë sulm të Hamas në qytetin e Khan Yunis në Rripin e Gazës.

 Edhe pse nuk mund të thuhet me siguri nëse janë të njëjtën ushtarë, është e pranuar tashmë se ushtria izraelite ka përdorur që prej fillimit të operacionit të saj masivisht eksploziv për të mbyllur tunelet nëntokësore të shfrytëzuara nga Hamas.

Çfarë duket e pabazë është pretendime se eksplozivët janë kurthe për ndihmat që u jepen palestinezëve, pavarësisht fuçive plastike blu që ndonjëherë përdoren për ruajtjen e ushqimeve në këtë rajon.

Këto fuçi përbëhen nga polietileni me dendësi të lartë (HDPE), gjë që i bën ato të forta, të papërshkueshme nga ndryshku dhe rezistente ndaj kimikateve. Ato janë projektuar për ruajtjen dhe transportimin e sigurt të materialeve të ndryshme, por gjithashtu edhe produktet ushqimore, si përshembull vaji.

Modeli i fuçive plastike në ngjyrë në blu që ofrohet për shitje në internet

Nevojitet të theksohet se prej 27 qershorit, kur është publikuar video, nuk është raportuar nga burimet palestineze si dhe aktorët ndërkombëtarë ndonjë shpërthim eksplozivi në fuçitë e ndihmave humanitare në Gaza në formatin e një kurthi. Gjithashtu, ndihmat që shpërndahen në Gaza nuk paketohen në fuçi të tilla plastike.

Nevojitet të theksohet se në Gaza ka edhe një “luftë informative” pro dhe kundër operacioneve të Izraelit për të fituar mbështetjen e opinionit ndërkombëtar.  Në dy vitet e fundit, IDF është akuzuar me prova se ka shtrëmbëruar faktet për të justifikuar sulmet në Gaza. Për shembull, bombardimi i Spitalit Arab Al-Ahli në Gaza në tetor 2023 fillimisht iu ngarkua një rakete të shkrepur gabimisht nga militantët palestinezë. Hetime të pavarura nga organizata për të drejtat e njeriut, si Human Rights Ëatch, arritën në përfundimin se detajet kryesore mbetën të paqarta, me të dyja palët që paraqitën prova kontradiktore.

Në prill të vitit 2024, shtatë punonjës humanitarë të organizatës World Central Kitchen u vranë nga sulmet izraelite me dronë, pavarësisht se grupi i tyre i kishte koordinuar lëvizjet e tij me IDF-në. Pas hetimeve të mëtejshme IDF shkarkoi nga detyra dy oficerë të lartë nga trupa e saj për gabimin në rastin e sulmit.