Këto djegie të ferexheve jo nga protestat në Iran

9

Pretendimi: Kjo video tregon gratë në Iran që protestojnë kundër regjimit duke hequr perçet dhe duke i djegur në 2026

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale shqipfolëse pretendohet se tregon gratë në Iran që protestojnë kundër regjimit duke hequr perçet dhe duke i djegur gjatë protestave masive në vend në janar 2026.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti një video të ngjashme të të njëjtit grup grash që heqin perçet ndërsa bërtasin “Liberté!” (liri) të botuar nga media franceze Frontières në shtator 2025. 

Sipas përshkrimit të videos, ajo është xhiruar në sheshin Place de la Bastille, në Paris.

Nëse krahasojmë pamjet e sheshit Bastille nga Google Earth me pamjet e videos, vërejmë se shfaqen të njejtat godina.

Prandaj, nuk është e vërtetë që video tregon gratë në Iran, gjatë protestave të janarit 2026. Ajo tregon një protestë të mbajtur në Paris në shtator 2025.

Pjesa e dytë e videos tregon një grua duke kërcyer pasi hedhi perçen në një zjarr të madh.

Një kërkim me Google Lens zbuloi se video origjinale është postuar, ndër të tjerë, nga Zëri i Amerikës në Youtube në shtator 2022. 

Sipas përshkrimit të medias amerikane, video tregon protesta në një rrugë në Sari, Iran. Protestat në atë kohë erdhën për shkak të vdekjes së 22-vjeçares Jina Mahsa Amini pas arrestimit nga policia e moralit, e cila zbaton kodin e rreptë të veshjes për gratë.