Këto balena beluga nuk dolën në breg nga cunami në Japoni

Pamjet e vitit 2023 ndahen gabimisht si pasoja të tërmetit rus

37

Pretendimi: Videoja tregon balenat e bardha që kanë dalë në breg pas cunamit në Rusi të datës 29 Korrik 2025

Përfundimi: Jashtë konteksti

Një video e publikuar në rrjete sociale që tregon katër balena të bardha (beluga) të bllokuara në breg të detit, ndërsa dy persona përpiqen t’i ndihmojnë duke i lagur me ujë, është shpërndarë në 31 korrik me përshkrimin: “Balenat dalin në breg në Japoni pas tërmetit të fuqishëm në Rusi që shkaktoi cunami…”

Pretendimi ngjall besueshmëri – veçanërisht pasi më 29 korrik 2025, Rusia u godit vërtet nga një tërmet i fuqishëm i ndjekur nga një cunami që arriti valë deri në 3-4 metra. Por videoja që po shpërndahet nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje.

Faktoje bëri një kërkimme motorin e kërkimit Google lens mbi pamjet e videos, dhe gjeti se ato janë publikuar për herë të parë më gusht 2023, pra thuajse dy vite përpara se tërmeti të ndodhte. Një version më i gjatë i videos është ngarkuar në YouTube më 16 gusht 2023, dhe është shpërndarë nga disa media ndërkombëtare dhe portale lokale ruse.

Kërkimi me fjalë kyçe çoi në raportimin e medias Newsweek, që konfirmon se pamjet janë regjistruar në Lindjen e Largët të Rusisë, pranë grykëderdhjes së lumit Tigil, ku pesë balena të bardha – katër të rritura dhe një këlysh – mbetën të bllokuara në breg. Ato u shpëtuan nga peshkatarë lokalë që i mbajtën të lagura dhe i ushqyen me peshk deri sa u kthye vala.

Rusia u godit nga një tërmet i fortë më 29 korrik, me epiqendër në afërsi të rajonit të Kamçatkas. Autoritetet njoftuan për një cunami me valë deri në 4 metra, që preku disa zona të bregdetit Paqësor. Disa banorë u evakuuan, dhe dëmet materiale janë ende në vlerësim. Deri tani nuk ka raportime zyrtare që lidhin ndonjë fenomen të ngjashëm me baticat ose sjelljen e balenave në ato zona.

Videoja që shfaq balenat beluga në breg është autentike, por nuk ka asnjë lidhje me tërmetin dhe cunamin e korrikut 2025. Ajo i përket një ngjarjeje të vitit 2023 dhe është ripërdorur në kontekst të gabuar.

Artikulli paraprakMcAllister nuk njoftoi mision faktmledhës për Shqipërinë
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë