Këta nuk janë algjerianë të maskuar si dele për të kaluar në Spanjë

17

Pretendimi: Kjo foto i përket tre algjerianëve që tentuan të hynin ilegalisht në Spanjë duke u maskuar si dele.

Vlerësimi: E pavërtetë

Jona Cenameri

Portale të ndryshme shqiptare (link, link, link, link) qarkulluan në 22 nëntor lajmin se tre të rinj algjerianë ishin ndaluar nga autoritetet teksa tentonin të hynin ilegalisht në Spanjë, duke u maskuar si dele. Në foto shfaqen tre persona të mbuluar me lesh artificial dhe fytyrat e lyera me bojë të zezë, të ulur në pjesën e pasme të një furgoni. Përshkrimi i postimit e paraqet ngjarjen si “një nga përpjekjet më të çuditshme të viteve të fundit” dhe shton se të arrestuarit po përballen me akuza për kalim të paligjshëm të kufirit.

Postimi ka gjeneruar shumë reagime dhe komente në Instagram, ku shumica e përdoruesve e kanë marrë historinë si të mirëqenë. Komentet janë kryesisht humoristike, duke përfshirë emoji dhe gif-e me dele, si dhe batuta të tilla si “kanë shpëtuar pa i çuar në thertore” apo “mirë që nuk i ka ngrënë ujku”. Edhe pse reagimet janë me nota humori, askush nuk vë në dyshim vërtetësinë e fotos, gjë që tregon se imazhi i deformuar ka krijuar një perceptim të gabuar te një pjesë e audiencës.

Verifikimi i Faktoje tregon se ky pretendim është i pavërtetë dhe se fotografia është nxjerrë jashtë kontekstit. Përmes një kërkimi në motorrin e kërkimit të imazheve të Google Lens, rezultoi se pamja nuk vjen nga ndonjë operacion policor në Algjeri. Fotoja është një screenshot i shkëputur nga një video argëtuese e vitit 2024, ku disa të rinj janë veshur si personazhi i njohur për fëmijë “Shaun the Sheep” (Delja Shon). Në video, ata shihen duke kërcyer në grup nën ritmin e muzikës së serialit të njohur britanik.

Kostumet e tyre me lesh artificial dhe fytyrat e lyera në të zezë janë identike me pamjen që po qarkullon së fundmi në rrjete sociale. Në video nuk ka asnjë gjurmë se pamjet lidhen me emigracionin apo me ndonjë operacion policor.

Një kontroll i lajmeve ndërkombëtare dhe njoftimeve zyrtare nga autoritetet algjeriane, policia spanjolle dhe Europol tregon se nuk ekziston asnjë rast i raportuar për persona të maskuar si dele që tentuan të hynin në Spanjë. Një episod i tillë nuk figuron as në bazat e të dhënave të mediave ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë deklaratë të institucioneve ligjzbatuese që e mbështet historinë.

Pretendimi se “tre persona tentuan të hynin në Spanjë të maskuar si dele dhe u arrestuan nga autoritetet algjeriane” është i pavërtetë. Fotoja është marrë nga një video argëtuese e vitit 2024 me persona të veshur si “Shaun the Sheep”, pa asnjë lidhje me emigracionin. Nuk ka asnjë njoftim zyrtar apo raport mediatik që konfirmon arrestime të tilla. Postimi përbën një shembull të qartë të keqinterpretimit të një imazhi viral dhe shpërndarjes së një narrative të rreme.