Pretendimi: Këshilltari socialist në Spanjë vizitoi një dyqan qebapi për të treguar solidaritet me Palestinën, por u rrah për shkak se është homoseksual
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një këshilltar të Partisë Socialiste në Spanjë, që “viziton një dyqan kebapi për të treguar solidaritet me komunitetin mysliman dhe Palestinën, por rrihet për shkak se është homoseksual.”

Sipas mediave vendase, personi që sulmohet në videon e mësipërme është Victor Saez, këshilltari i qytetit Lorqui për të rinjtë, festimet, turizmin dhe të drejtat e komunitetit LGBTIQ.
Përplasja e treguar në video ka ndodhur në Prill 2025 në Lorqui, Murcia, Spanjë.
Saez postoi në rrjetet sociale se pësoi “agresion homofobik nga pronari i dyqanit dhe kamerierët e tij.”
Megjithatë, prania e tij në restorant nuk synonte tregimin e solidaritetit “me komunitetin mysliman dhe Palestinën,” por thjesht shuarjen e urisë.
Sipas Saez, ai ishte me një mik dhe pasi porositi një qebap, kërkoi çelësat e banjës sepse ishte e mbyllur. Çelësat nuk ia dhanë dhe kur kërkoi një formular ankese, gjërat filluan të përshkallëzoheshin. Saez tha se pronari i dyqanit e sulmoi “duke më thënë se nuk duhet t’i flisja vajzës së tij.” “Pastaj më kërcënoi,” shtoi ai. “Do të të vras, dreqin, do të të vras, do të të pres fytin.” Saez tha se kamerierët dolën nga pas banakut dhe filluan ta rrihnin.
Ndërkaq, pronari i dyqanit ka bërë një padi në polici kundër Saez, të cilin e akuzon se ka hedhur një stol kur nuk e kanë lejuar të hyjë në tualet. Ai akuzohet se ka thyer një dritare dhe ka bërtitur fyerje raciste përpara se të kërkonte një formular ankese, i cili fillimisht u refuzua për shkak të sjelljes së tij të pretenduar.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste të Punëtorëve Spanjollë (PSOE) në Murcia, Francisco Lucas, tha: “Është për të ardhur keq që këto situata vazhdojnë të ndodhin dhe ne e dënojmë fuqimisht agresionin homofobik që pësoi Victor Saez.”