Pretendimi: Në Izrael u kërkua para sulmit emri i viktimave të Gardës Kombëtare
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Më 26 nëntor 2025, përgjatë një sulm pranë Shtëpisë së Bardhë në Washington DC, dy anëtarë të Gardës Kombëtare Amerikane u qëlluan me armë. Sulmi çoi në vdekjen e Sarah Beckstrom, 20 vjeç, ndërsa Andrew Wolfe, 24 vjeç, mbeti në gjendje kritike. Autoritetet amerikane arritën të identifikojnë dhe arrestojnë sulmuesin si Rahmanullah Lakanwal, një qytetar nga Afganistani që kishte mbërritur në SHBA në 2021 me vizë të veçantë pasi kishte bashkëpunuar prej vitesh me ushtrinë amerikane dhe CIA-n.
Dy ditë pas sulmit, një përdorues i rrjetit Twitter/X nën emrin Brian Allen postoi një foto, sipas të cilit, emri i viktimës, Sarah Beckstrom ishte kërkuar disa herë në Google në Izrael disa ditë para sulmit. Ky postim aludon në këtë mënyrë se dikush në Izrael kishte dijeni paraprake të ngjarjes. Allen përdori website-in Google Trends për të arritur në këtë përfundim. Google Trends i lejon përdoruesit të shohin sa herë është kërkuar një fjalë ose emër në motorin e kërkimit të Google.

Kjo teori konspiracioni u përhap shpejt në platformat sociale. Në Shqipëri, disa portale e përkthyen këtë lajm nga portal italian Inside Over. Në këtë artikull pretendohet se këto gjetje të Allen janë “konfirmuar” duke përdorur po ashtu Google Trends. Megjithatë, si Allen që prej të dhënave duket te jetë një llogari fallco dhe anonime në Twitter, dhe Inside Over, nuk janë burime të besueshme.

Këto teori synojnë të përfshijnë Izraelin në një komplot, sipas të cilit, qeveria e Izraelit ka organizuar sulmin në D.C., edhe përse autoritetet e kanë gjetur tashmë personin mbrapa sulmit. Për më tepër, artikull i Inside Over përmend edhe një rast tjetër nga maji 2025, kur dy persona u vranë pranë Muzeut Hebraik. Pretendohet se emri i njërit prej viktimave, Yaron Lischinsky, po ashtu është kërkuar disa herë në Izrael para ngjarjes.
Për më tepër, këto pretendime mbështeten në një keqkuptim themelor të mënyrës si funksionon Google Trends. Studimet kanë treguar se Google Trends nuk është një mjet i besueshëm për analizë të tillë, pasi të dhënat që mbledh jo gjithmone janë të sakta. Si Allen dhe Inside Over kanë bërë një kërkim të emrit “Sarah Beckstrom” pa thonjëza.
Në raste të tilla, Google përfshin rezultate që përmbajnë fjalët “Sarah” dhe “Beckstrom” në çfarëdo kombinimi, jo vetëm si emër të plotë. Kjo mund të japë rezultate të rreme, siç e tregon grafiku më poshtë, ku emri i Sarah Beckstrom duket të jetë kërkuar në Tel Aviv me datë 18 nëntor, gati një javë para sulmit.

Megjithatë, një test më i saktë (edhe pse jo vendimtar) bëhet përmes kërkimit me thonjëza. Pra, kur kërkohet emri “Sarah Beckstrom” si një tog-fjalësh i përbashkët në Google, nuk ka rezultate për periudhën që artikulli pretendon. Kjo tregon se rastet e raportuar nga artikujt në mediat shqiptare dhe të huaja janë rastësi teknike, jo prova të ndonjë komploti.

Nuk duhet të anashkalohet gjithashtu fakti që kërkimi i origjinës së pajisjeve ku bëhet një kërkim në Google bazohet në vendndodhjen e IP së internetit të pajisjes. Nëse ky akses në internet krijohet nëpërmjet VPN (virtual private network) apo mënyrave më të avancuara, origjina e kërkimit mbetet e fshehtë apo e manipuluar qëllimisht për t’u shfaqur në një vend të caktuar.






