Granit Sokolaj
Një studim i fundit i disa kërkuesve shkencorë italianë mbi rezultatet pozitive të trajtimit të pacientëve me COVID me kurat anti-inflamatore tradicionale po keqinterpretohet duke “ushqyer” teoritë konspirative në rrjet kundër vaksinave dhe masave anti-Covid të ndërmarra nga autoritetet në muajt e parë të pandemisë. Faktoje verifikoi studimin dhe saktëson më tej ndarjen që ekziston mes shkencës dhe konspiracionit.
“Lajmi i fundit që do të trondisë Botën: 90 % e vdekjeve nga Covidi u shkaktua jo nga Covidi por nga protokolli i gabuar! Pra të infektuarit me Covid nuk kanë humbur jetën nga virusi, por nga e ftohura dhe si çdo e ftohur duhej trajtuar me ilaçe kundër ftohjes nga ato që gjenden në çdo farmaci (ibuprofene madje dhe aspirina… OBSH dhe kukullat e tyre qeveritare kanë ushtruar genocid për llogari të BigFarmës së Vraksinave, konform Axhendës Kriminale të Elitave të Davosit!…” Ky postim i datës 27 gusht i “PopulliTV”, një faqe e prezantuar si agjenci mediatike online, por që është pjesë e disa platformave të aktivistit Altin Goxhaj, me një qëndrim të hapur publik kundër vaksinimit ndaj Covid, është bazuar mbi publikimin e rezultateve të një studimi të disa kërkuesve italianë.
Lajmi i publikuar më herët nga agjencia italiane ANSA, i bën jehonë tezës kryesore të mbështetur nga kërkuesit e studimit, sipas të cilës, trajtimi i të prekurve me Covid në fazë të hershme me medikamente anti-inflamatore redukton rrezikun e shtrimit në spital. “Faktoje” verifikoi më tej studimin e prezantuar në postimin e “PopulliTV” si dhe mediave italiane për të hedhur më tepër dritë mbi vërtetësinë e interpretimit të rezultateve.
Postimi i faqes “PopulliTV”
Bëhet fjalë për një studim të publikuar më 25 gusht, në revistën shkencore “The Lancet-Infectious Desease”, me autorë Remuzzi, Suter, Perico dhe Cortinovis, pjesë e kërkimeve të zhvilluara nga Instituti farmaceologjik “Mario Negri” dhe Qendra Spitalore Papa Giovanni XXIII në Bergamo të Italisë.
Screenshot nga revista shkencore “The Lancet-Infectious Desease”
Katër kërkuesit, kanë marrë në shqyrtim të dhënat e fokus-grupeve ndër rreth 5 mijë pacientë të trajtuar në vitet 2020 dhe 2021 në spitalin e Bergamos. Bazuar mbi këto të dhëna, studimi mbështet tezën se trajtimi me medikamentet anti-inflamatore (me përmbajtje ibuprofen apo paracetamol) kanë ndihmuar trajtimin e pacientëve të prekur nga Covid në kushtet e shtëpisë, pa qënë nevoja që ata të shtrohen në spitale. Statistikat e konsultuara në studim, flasin për një reduktim në nivelin 85-90 % të rrezikut të shtrimit në spital të të prekurve me Covid të trajtuar me ibuprofen nga mjekët e familjes.
Kjo përqindje e reduktimit të komplikacioneve të mëtejshme shëndetësore, nuk duhet lidhur detyrimisht me përqindjen e fataliteteve në spitale gjatë pandemisë. Pra, numri i shtrimeve në spitale nuk ishte i njëjtë me mortalitetet nga virusi edhe në periudhën më të errët të pandemisë dhe si rrjedhojë, përdorimi i rezultatit 90%, ashtu si në postimin e “PopulliTV”, është jo i drejtë.
Studimi i publikuar në revistën shkencore “The Lancet-Infectious Desease”
Rezultatet e kërkimit të institutit italian, konfirmojnë më tej disa studimeve të mëhershme shkencore, të cilat rrëzuan dyshimin e ngritur në fazat e para të pandemisë mbi përdorimin e anti-inflamatorëve, e kryesisht, Ibuprofenit, në trajtimin e pacientëve me Covid. Më konkretisht, dy studime të publikuara më 7 maj 2021, në të njëjtën revistë “The Lancet”, kanë qartësuar përse pati një dekurajim fillestar në trajtimin me ibuprofen.
Studimi i parë, i kërkuesve Kragholm, Torp-Pedersen dhe Fosbol, hapet me këtë hyrje:
“Në fillim të pandemisë COVID-19, kishte shqetësime në media se përdorimi i barnave anti-inflamatore jo-steroide, veçanërisht ibuprofenit, mund të përkeqësonte simptomat e COVID-19. Këto shqetësime, bazuar në të dhëna të papublikuara, çuan në këshilla kundër përdorimit të këtyre medikamenteve. Mekanizmi përmes të cilit ky trajtim, teorikisht, mund të jetë i dëmshëm te pacientët me COVID-19 është nga ndikimi në receptorët e enzimës konvertuese të angiotenzinës 2 (ACE2) në mushkëri, arterie, zemër, veshka dhe zorrë, që përdoret nga SARS-CoV. -2 si pikë hyrëse në qeliza. Për më tepër, anti-inflamatorët mund të vonojnë diagnozën e COVID-19 duke maskuar inflamacionin dhe ethet. Pas disa studimeve fillestare, OBSH, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA (FDA) nuk dekurajuan përdorimin e ibuprofenit për COVID-19, por ata vazhdojnë të rekomandojnë monitorim të kujdesshëm nga mjekët, duke pasur parasysh rrezikun teorik”. Studimi i kërkuesve italianë, është një konfirmim i mëtejshëm i këtyre gjetjeve të fillimit të vitit 2021.
Ndërkohë, vetë kërkuesit nga Bergamo, nënvizojnë në studimin e tyre rëndësinë e vaksinimit ndaj Covid-19 si dhe trajtimin serioz të sëmundjes: “Në një përpjekje globale që është e pashembullt në historinë moderne, ka pasur një garë për të gjetur barna dhe trajtime biologjike për të shpëtuar jetën e pacientëve dhe për të zhvilluar vaksina. Vaksinat e COVID kanë kontribuar në zvogëlimin e rrezikut të infeksionit SARS-CoV-2 dhe ofrojnë mbrojtje kundër sëmundjeve të rënda të shkaktuara nga variantet e tij, duke përfshirë edhe omicron.”
Bazuar në sa më sipër, studimi i kërkuesve italianë nuk mbështet publikimin e “PopulliTV” se “90 % e vdekjeve nga Covidi u shkaktua nga protokolli i gabuar”, apo që “të infektuarit me Covid nuk kanë humbur jetën nga virusi, por nga e ftohura”. Sigurisht, mbeten në kuadrin e teorive konspiracioniste dhe ende të pabazuara në ndonjë kërkim serioz, aludimet se OBSH dhe qeveritë në mbarë botën kanë ndaluar qëllimisht trajtimin me ibuprofen të pacientëve për përfitime të caktuara.
Për të mësuar më shumë mbi njohuritë e deritanishme mbi virusin e SARS-CoV-2, këshillat dhe mjekimet e rekomanduara, është e rëndësishme që t’i drejtoheni burimeve zyrtare të besueshme ndërkombëtare dhe vendase si OBSH, EMA dhe ISHP.