Nga Jona Plumbi- Një video që ka qarkulluar gjerësisht në rrjet ku tregohen disa vija të kuqërremta në qiell është interpretuar si raketa në qiellin shqiptar.
Stuhi raketash edhe në qiellin shqiptar?, shkruan faqja JOQ që e ka shpërndarë videon në fjalë. Sipas tekstit që shoqëron publikimin, ato që duken në video janë “raketa” të ngjashme si ato të Izraelit, që duket se kanë përshkuar edhe qiellin shqiptar.
“JOQ Albania ka marrë me dhjetëra raportime nga qytetarë të ndryshëm të vendit në Elbasan, Tiranë, Lezhë e Shkodër për raketa në qiell rreth orës 3-4 të mëngjesit”, shkruan JOQ.
Në fund të përshkrimit të videos, faqja JOQ është kujdesur të shkruajë se “pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë qiellin e shndritur, por askush nuk e di çfarë janë”

Ajo që bie në sy është se teksti përshkrues i videos është i edituar, por Instagrami, ndryshe nga Facebook-u, nuk lejon të shihet cila pjesë e tekstit është ndryshuar.

Videoja ndërkohë është shpërndarë edhe nga të tjerë portale apo faqe. Kështu Lokimagazine.com ka riprodhuar të njëjtin tekst dhe video të marrë nga JOQ. Teksti ndryshon vetëm në fjalinë e fundit ku Lokimagazine shkruan: “Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë më së miri praninë e tyre, por askush nuk mund ta thotë nga kanë ardhur apo pse”
Duket se ky ka qenë edhe teksti origjinal i publikimit në faqen e JOQ përpara se ai të ndryshohej.
Një tjetër portal në rrjet e shpërndan videon duke e marrë nga Lokimagazine, me titull “Qytetarët në alarm! Stuhi raketash kapen në qiellin shqiptar?”

Videoja është shpërndarë edhe nga faqe të tjera në rrjete sociale që njoftuan “raketa mbi territorin shqiptar”

Edhe pse videoja nuk ka një objekt apo mënyrë për të verifikuar nëse pamja është vërtetë e xhiruar në Shqipëri apo jo, ajo që mund të vërtetohet përmes një kërkimi me Google Lens është se pamja që shfaqet në këtë video është parë nga shumë qytetarë të shumë shteteve në periudha të ndryshme.

Një kërkim pak më i thelluar tregon se pamja e videos, duket më e ngjashme me një starlink që ka shpërthyer në qiell sesa me raketa.

Pamje nga video e JOQ

*satelit starlink që ka shpërthyer

*raketa izraelite në qiell të xhiruara me telefon
Starlink është një konstelacion satelitor i zhvilluar nga SpaceX, kompania private e hapësirës e themeluar nga Elon Musk. Qëllimi kryesor i këtij sistemi është të ofrojë internet me shpejtësi të lartë dhe vonesë të ulët në të gjithë botën. Sistemi përbëhet nga mijëra satelitë të vegjël që orbitojnë Tokën në lartësi të ulët (rreth 550 km), të cilët komunikojnë me terminalet tokësore dhe antenat e përdoruesve.

Kur një satelit i Starlink shpërthen ose hyn në atmosferën e Tokës në mënyrë të pakontrolluar, zakonisht për shkak të një defekti, përplasjeje ose deorbitimi të planifikuar, ai krijon një spektakël dramatik dritash në qiell. Sateliti digjet për shkak të fërkimit me atmosferën, duke u dukur si një vijë e ndritshme ose një grup dritash, që lëvizin shpejt dhe shpërbëhen. Mund të ngjajë me një shi meteorësh ose një top zjarri. Njerëzit shpesh i ngatërrojnë këto dukuri me UFO apo lëshime raketash për shkak të formave dhe ndriçimit të pazakontë.
