Një nga premtimet kryesore të Fisnik Qoses kur kërkoi votën për t’u bërë kryebashkiak i Kavajës ishte i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: “Asnjë qytetar, turist apo sipërmarrës nuk do të shohë më pamjet e shëmtuara të makinës së pastrimit në mes të ditës, orë e pa orë,” tha ai më 23 shkurt 2023, duke shpallur pastrimin si prioritet për qytetin e Kavajës.

Dy vjet më vonë, fakti që qyteti duket më i pastër varet kryesisht nga këndvështrimi: nëse sheh koshat e boshatisur apo rrugët përreth tyre.

Premtimi dhe realiteti

Përmes një kërkese për informacion, Faktoje pyeti Bashkinë e Kavajës për oraret e pastrimit dhe nismat e ndërmarra në sezonin veror. Përgjigjja zyrtare ishte e shkurtër: “Koshat pastrohen dy herë në ditë, ndërsa gjatë verës tre herë në ditë

Më 3 shtator, një ekip i Faktoje udhëtoi drejt qytetit për të parë nga afër se çfarë ndodh vërtetë në Kavajë. Në qendër, situata dukej e menaxhuar. Kosha të shumtë, shumica të boshatisur, dëshmonin se shërbimi i pastrimit të mbledhjes së mbetjeve funksiononte.

Në rrugët e qendrës, edhe pse koshët ishin bosh, përreth tyre mbeteshin shpesh mobilje të vjetra, mbetje ndërtimi apo degë të krasitura pemësh. Një kujtesë vizuale se pastrimi i qytetit nuk është vetëm çështje boshatisjeje koshash, por edhe mirëmbajtjeje të hapësirave publike, përgjegjësi që bie mbi Bashkinë.

Por periferitë tregonin një histori tjetër,  koshë të amortizuar, mbetje të shpërndara në trotuare dhe grumbuj plehrash të lënë rrugëve.

Në disa momente, makinat e pastrimit u panë në veprim, por ajo që mbeti i dukshëm ishte kontrasti i fortë midis lagjeve kryesore dhe zonave më të anashkaluara.

Zëri i qytetarëve

Bisedat me banorët e konfirmuan këtë tablo të përzier. “Koshat i pastrojnë çdo ditë, ndonjëherë edhe jo, por jemi edhe ne që i hedhim keq,” pranon një zonjë e moshuar, që nuk dëshiroi të identifikohej. 

Një tjetër qytetare foli për diferencat mes lagjeve: “Këtej në periferi jo edhe aq. Andej nga rrugët kryesore ku jetoj unë vijnë dy herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë”.

Përfundim

Faktoje ka ndjekur këtë premtim edhe gjatë vitit 2024, dhe situata nuk ndryshon shumë nga vera e 2025. Koshat pastrohen me rregull, por hapësirat përreth shpesh mbeten jashtë vëmendjes.

Në këtë kuptim, premtimi i kryebashkiakut Qosja për ta bërë pastrimin “punën e parë” të mandatit të tij nuk mund të konsiderohet as i dështuar, por as plotësisht i mbajtur. Ai mbetet, për momentin, diku në mes — pjesërisht i mbajtur.

*Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.