Pretendimi: Kjo është foto e një çifti shqiptar me banim në Zvicër që lindën katërnjakë
Vlerësimi: E pavërtetë
Jona Cenameri
Foto e një çifti prindërish me katër foshnje, e postuar ditët e fundit në një portal shqiptar, ka marrë dhjetra urime nga komentues të ndryshëm. Ky reagim është i kuptueshëm duke u bazuar në përshkrimin e fotos: “Zoti i ruajtë! Ky është çifti shqiptar në Zvicër, që lindën katërnjakët, ata sot festojnë ditëlindjen”.

Megjithë entuziasmin për një lajm pozitiv në këto kohëra me lindje të reduktuara, një verifikim përmes programit të verifikimit të fotove Google Lens, zbulon se kemi të bëjmë me një gëzim të nxituar. Foto është publikuar fillimisht në People.com, media që e raportoi historinë për herë të parë më 19 maj 2020. Kjo u ndoq më pas nga publikime të shumta në media të tjera ndërkombëtare, të cilat e trajtuan historinë për shkak të veçantësisë së saj. Pikërisht përmes këtyre artikujve u bë e mundur të zbulohet historia e vërtetë e çiftit në foto, e cila nuk ka asnjë lidhje me shqiptarët apo Zvicrën, por lidhet me një ngjarje nga SHBA.
Bëhet fjalë për Jenny dhe Chris Marr, një çift nga Teksasi, SHBA, që në vitin 2020 u bënë prindër të katërnjakëve identikë, një rast tepër i rrallë, i llogaritur të ndodhë një herë në 10 deri në 15 milion shtatzëni. Fillimisht Jenny besonte se ishte shtatzënë me një fëmijë, por në javën e 11-të mjekët zbuluan se në fakt ajo priste katër. Lajmi i papritur ishte aq tronditës, sa burri i saj Chris humbi ndjenjat në sallën e ekzaminimit.
Manipulimi i lajmit duke e lidhur me një familje shqiptare ka për qëllim krijimin e ndjeshmërisë më të lartë tek lexuesit dhe kjo duket edhe të komentet që shoqërojnë postimin, ku nuk mungojnë urimet për familjen me shumë fëmijë. Ky është një rast tipik i keqpërdorimit të imazheve për të prodhuar lajme sensacionale që tërheqin vëmendje dhe klikime.
Lajmi i manipuluar rezulton se ka qarkulluar fillimisht edhe në vitin 2021 në disa faqe shqiptare, në rrjetet sociale dhe tani është ricikluar, duke u servirur sërish si një histori e re për të mashtruar ndjekësit.