Pretendimi: Lëshimi i raketës hapësinore Artemis II nga NASA ishte i inskenuar sepse kapsulat e emergjencës ranë gjatë ngritjes
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————–
Pas lëshimit të raketës hapësinore së NASA, Artemis II, më 1 prill 2026, në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se ky lëshim ishte inskenuar. Si ‘provë’ për këtë sillen pamje të një pjese që shkëputet nga raketa gjatë nisjes, shoqëruar me një shpjegim të gjeneruar nga inteligjenca artificiale (AI) që pretendon se kapsulat e emergjencës nuk lëshohen gjatë nisjes së raketës.

Në realitet, kutitë që i përngjajnë një teleferiku, janë shporta me tel rrëshqitës të Sistemit të Daljes Emergjente të Platformës 39B.
Kompleksi i Lëshimit i Qendrës Hapësinore Kennedy 39, nga ku u nis Artemis II, është i pajisur me një sistem shportash shpëtimi me tel rrëshqitës për evakuim të shpejtë, që personeli të largohet në mënyrë të sigurt nga platforma e lëshimit dhe të shpëtojë nga rreziku në rast të papritur emergjence gjatë numërimit mbrapsht para nisjes.

Rruga që do të ndiqnin astronautët dhe personeli gjatë një situate emergjente aborti. Foto: NASA
Shportat jane pjesë e një sistemi sigurie të projektuar për t’u përdorur para ngritjes, në rast emergjence në platformën e nisjes, jo gjatë fluturimit. Ato ndihmojnë astronautët të largohen me shpejtësi nga raketa në rast se diçka nuk shkon siç duhet gjatë numërimit mbrapsht përpara nisjes. I ndihmuar nga anëtarët e ekipit të mbylljes, ekuipazhi do të linte raketën dhe do të zbriste me një shportë emergjence në tokë me shpejtësi që arrin deri në 89 km/orë. Shportat përdorin kabllo 407 metra të gjata dhe frenim magnetik.
Çdo shportë drejtkëndëshe ka vend për 5 persona dhe mund të lirohet me shtypjen e thjeshtë të një butoni. Shportat pa energji rrëshqasin poshtë një kablloje vetëm nën ndikimin e gravitetit derisa të kapen nga një rrjetë në nivelin e tokës.

Një anëtar i ekipit të shpëtimit dhe një punonjës i veshur me kostum astronautësh praktikojnë uljen e një shporte me tela rrëshqitës gjatë një skenari të simuluar të daljes emergjente nga Platforma e Lëshimit 39A. Florida, ShBA. 3 dhjetor 2004. Foto: NASA/KSC
Kur raketa niset, ky sistem nuk përdoret më. Lëshimi dhe lënia e shportave pas janë pjesë e procesit së lëshimit të raketës.
Këto shporta përdoren prej kohësh nga NASA për evakuim nga platforma e nisjes në rast emergjence.

Ekuipazhi i misionit STS-122 mëson si të përdorë shportat me tela rrëshqitës për të evakuuar platformën e lëshimit në rast emergjence, në Qendrën Hapësinore Kennedy të NASA, në Cape Canaveral, Florida, Nëntor 2007
Sistemi i Daljes së Emergjencës, i cili ka për qëllim për të transportuar me shpejtësi astronautët në një distancë të sigurt nga një raketë e mbushur me karburant në rast emergjence në platformën e lëshimit, ka marrë shumë forma gjatë historisë 63-vjeçare të fluturimeve hapësinore amerikane, nga vinçat te sediljet e hedhjes e deri te rrëshqitëset e fryra.
Programi Artemis zgjodhi të instalonte shporta me tela rrëshqitës. NASA e testoi dy vite më parë sistemin për të verifikuar nëse është i sigurt për përdorim nga njerëzit.

Një nga shportat e daljes emergjente të raketës SLS Mobile Launcher. Në rast emergjence në platformën e lëshimit, shportat do ta transportonin me shpejtësi ekuipazhin e Artemis 2 dhe ekipin e tyre mbështetës në sigurinë e një bunkeri (zona blu në pjesën e sipërme majtas). Foto: NASA/Isaac ëatson.

Nga e majta në të djathtë: Astronautët e STS-131, Clay Anderson, Naoko Yamazaki dhe Stephanie ëilson, praktikojnë hipjen në një shportë me tela rrëshqitëse. Foto: NASA/Kim Shiflett.
Sistemi me tela rrëshqitës u shfaq për herë të parë në mesin e epokës së programit Apollo (1961-1972).






