Pretendimi se mungesa e portave mbyllëse në Kanalin e Suezit provon se Toka është e sheshtë është i pasaktë. Në të vërtetë, Kanali nuk ka këto mekanizma që përdoren për të lëvizur anijet mes dy trupash ujor me nivele të ndryshme uji sepse të dy detet që ai lidh, Mesdheu dhe Deti i Kuq, kanë të njejtin nivel uji.

———————————————

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon arugmenti se mungesa e portave mbyllëseKanalin e Suezit provon se Toka është e sheshtë.

Portat mbyllëse janë pajisje që mundësojnë ngritjen dhe uljen e anijeve nga pjesë të lumit apo kanalit me nivele të ndryshme uji, si në skicën e mëposhtme.

Skicë e portave mbyllëse nga Encyclopedia Brittanica

Argumenti se mungesa e portave mbyllëse në Kanalin e Suezit, i cili që prej vitit 1869 lidh Mesdheun me Detin e Kuq, provon teorinë e Tokës së Sheshtë është mbi 100 vjeçar.

Ai u parashtrua fillimisht në librin “Njëqind Prova që Toka Nuk është Glob” të autorit britanik William Carpenter, botuar në 1885. Si provë nr. 40, Carpenter shkruante: “Kanali i Suezit, i cili bashkon Detin e Kuq me Mesdheun, është rreth 100 milje i gjatë; ai formon një sipërfaqe uji të drejtë dhe të niveluar nga fillimi në fund; dhe në ndërtimin e tij nuk është bërë asnjë llograitje për ndonjë ‘përkulje’ të supozuar. është provë e qartë që Tokan nuk është glob.”

Megjithatë, siç shpjegohet në faqen përkushtuar përgënjeshtrimit të teorisë së Tokës së Sheshtë flatearth.ws, ky argument mbështetet në një keqinterpretim të vijës referenciale të kanalit (26 këmbë ose rreth 8 metra).

Pretendimi se, nëse Toka do të ishte një sferë, atëherë Kanali i Suezit duhet të ishte gërmuar në një vijë të drejtë nga 8 metra nën nivelin e detit në secilën anë, gjë që do të kërkonte të gërmohesh rreth 508 m (1666 këmbë) nën nivelin e detit në mes të Kanalit është i pasaktë.

Siç tregohet në skicën e mëposhtme, sipërfaqja e ujit është në të njejtin nivel (ekuipotenciale), edhe kur uji kalon në Kanalin e Suezit. Ndërtuesit e kanalit duhet vetëm të mundësonin që shtrati i kanalit të jetë 8 metra i thellë, në raport me sipërfaqen ekuipotenciale të ujit të detit.

Sipërfaqja e ujit përkulet, e si rrjedhim edhe themelet e Kanalit do të përkulen sipas përkuljes së Tokës.

Ian Jackson, profesor gjeofizike në Australian National University, tha për kolegët e AAP se kanalet si ai i Suezit ndërtohen pa porta mbyllëse për të operuar në nivelin e detit përgjatë tërësisë së tyre.

“Si për Kanalin e Suezit dhe atë të Panamasë, niveli i detit është i njejtë në secilin skaj. Mungesa e portave mbyllëse përgjatë Kanalit të Suezit nuk ka fare të bëjë me Tokën e sheshtë, por pasqyron faktin që, ndryshe nga Kanali i Panamasë, Kanali i Suezit është ndërtuar nëpër një tokë të ulët, pra një tokë pranë nivelit të detit,” tha ai.

Kanali i Suezit, pra, nuk ka pajisje që përdoren për të lëvizur anijet mes dy trupash ujor me nivele të ndryshme uji sepse të dy trupat ujorë që ai lidh, Mesdheu dhe Deti i Kuq, kanë të njejtin nivel uji.

*Një variant i mëparshëm i këtij shkrimi gabimisht thoshte se Kanali i Suezit lidh detin Mesdhe me Detin e Zi. Në të vërtetë, Kanali i Suezit lidh detin Mesdhe me Detin e Kuq. Ky shkrim u korigjua më 29 janar 2024.