Pretendimi: Kanadaja do të eutanazojë miliona qytetarë të dëmtuar nga vaksina anti-Covid
Verditki: Mungon konteksti
———————————————————————
Një lajm që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste online pretendon se “Kanadaja do të fillojë eutanizimin (vdekjen e vullnetshme) të miliona qytetarëve të lënduar nga vaksina COVID.”
Megjithëse postimi nuk përmban ndonjë burim apo referencë për këtë pretendim të jashtëzakonshëm, Faktoje gjeti se imazhi i bashkëngjitur postimit shfaqet në një artikull të botuar nga portali amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Artikulli i Thë People’s Voice i referohet eutanazisë së një qytetari kanadez të identifikuar si “Mr. A.”
Rasti në fjalë është përfshirë në raportin e bordit të vdekjes së asistuar në Ontario (MDRC) si një “shembull ilustrues” i rasteve komplekse që paraqesin “sfida legjislative dhe praktike” kur vlerësohen.
Burri nga Ontario ishte në të 40-at dhe kishte një histori me sëmundje mendore. Ai u eutanazua pasi vlerësuesit e vdekjes së asistuar vendosën që shpjegimi më i arsyeshëm për degradimin e tij fizik ishte “sindroma e vaksinimit” post-Covid.
Ai vuante nga çrregullime të stresit post-traumatik, depresioni, çrregullime me ankthin dhe personalitetin dhe ishte shtruar dy herë në spital me qëllime vetëvrasjeje. Ai pati konsultime të shumta me ekspertë dhe analiza klinike që përfunduan pa rezultate të përcaktuara diagnostike. Specialistët e shumtë që e ekzaminuan nuk konfirmuan asnjë diagnozë unifikuese. Megjithatë, vlerësuesit e vdekjes së asistuar “menduan se diagnoza më e arsyeshme për paraqitjen klinike të z. A (degradim i rëndë funksional) ishte sindroma post-vaksinim, në përputhje me sindromën e lodhjes kronike.”
Sindroma post-vaksinë nuk është një term mjekësor dhe nuk përfshihet si efekt anësor në sistemin e raportimit të efekteve anësore të vaksinës së Kanadasë apo ndonjë shteti tjetër. Përfshirja e rastit të Mr. A si shembull i rasteve sfiduese për vlerësimin e nevojës për eutanazi nuk provon ekzistencën e një sindrome post-vaksinë, e aq më pak se Kanadaja do të eutanazojë personat që kanë patur dëmtime nga vaksina.
Megjithatë, liberalizimi i gjerë i eutanazisë në Kanada ka ngritur shqetësime nga pikëpamja e të drejtave të njeriut. Një nga kritikat kryesore e etiketon praktikën e Kanadasë si një zgjidhje e zgjedhur nga personat më vulnerabël, si personat me aftësi të kufizuara, të pastrehë, të sëmurë mendorë dhe të moshuar, të cilët janë braktisur nga shteti.
Eutanazia, kur mjekët përdorin ilaçe për të vrarë pacientët, është e ligjshme në 7 shtete, përfshi Kanadanë ku ajo quhet asistencë mjekësore në vdekje (MAID).
Në 2016, Kanadaja legalizoi eutanazinë për personat mbi 18 vjeç që përmbushnin disa kritere: të kishin një sëmundje të rëndë që ishte në një fazë të avancuar dhe i shkaktonte vuajtje fizike apo mendore të padurueshme. Ky ligj u amendua më vonë për të lejuar edhe personat që nuk kanë sëmundje vdekjeprurëse të zgjedhin të vdesin. Ky ndryshim ka shqetësuar aktivistët e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara që e shohin këtë liberalizim të vdekjes së asistuar si një zgjidhje mizore ku shteti i ofron këtyre njerëzve ndihmë për të vdekur në vend të përkujdesjes mjekësore, ekonomike dhe sociale.
Në 2021, tre ekspertë të OKB-së për të drejtat e njeriut ngritën shqetësimin se ligji i Kanadasë për eutanazinë dukej se shkelte Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Ata thanë se ligji kishte një “ndikim diskriminues” mbi personat me aftësi të kufizuara dhe ishte në kundërshtim me detyrimet e Kanadasë për të mbështetur standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Qeveria kanadeze po synon gjithashtu të lehtësojë më tej kriteret për vdekje të asistuar duke përfshirë edhe personat që vuajnë vetëm nga sëmundje mendore, megjithëse një vendim për këtë është shtyrë deri në mars 2027.