Më 19 qershor 2019 kryeministri Rama së bashku me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj deklaruan se do fillonin punimet për ndërtimin e Kampusit Universitar. Një vit e gjysmë pas kësaj deklarate, nga verikimi në terren dhe informacionet zyrtare, Faktoje konstaton se ky premtim nuk është realizuar, madje institucionet janë ende në pritje të fondeve për nisjen e projektit.
Kryeministri Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, më 19 qershor 2019 deklaruan se do fillonin punimet për ndërtimin e Kampusit Universitar, ndërsa inspektonin punimet për rikonstruksionin e konvikteve në Qytetin Studenti.
“Rendi ka qënë fillimisht Qyteti Studenti, që është pjesa më e madhe, në momentin që mbaron deri në fund të verës kjo procedurë e meremetimeve, ne pastaj do të fillojmë me kampusin” – u shpreh Veliaj
Ky premtim u përforcua edhe nga kryeminisrti Rama:
“Ideja është të përfundojmë të gjithë këtë rikonstruksion të godinave ekzistuese, ndërkohë që po përgatitet mes MASR dhe bashkisë Tiranë projekti i Kampusit”.
Kampusi parashikohet të ofrojë për studentët mjedise të reja studimi: laboratorë krijues, Opera Studio, mensa, terrene sportive, biblioteka dhe një sërë hapsirash në funksion te jetës studentore.
Nënkryetari i bashkisë Tiranë, Arbian Mazniku më 27 dhjetor 2019 prezantoi projektin e Kampusit Universitar duke treguar sesi do zhvillohen objektet e reja me funksion akademik, plus elemente të tjera. Ky kampus parshikohet të zerë një sipërfaqe prej 110 metrash katrorë dhe 11 godina shtesë.
Gjithashtu kryebashkiaku Veliaj më 29 shkurt 2020 Veliaj postoi në rrjetin e tij Facebook fotot e projektit të “Kampusit Universitar”.
Projekti i Kampusit Universitar
Faktoje gjatë një vëzhgimi në terren në Qytetin Studenti, konstatoi se ende nuk ka ndonjë shenjë për nisje të punimeve për këtë projekt.
Qyteti Studenti, 9 shkurt 2021
Qyteti Studenti, 9 shkurt 2021
E.H, studente në vitin e tretë, dega Administrim Biznes, që jeton në konviktet e Q.S thotë:
“Puna për kampusin nuk ka filluar ende, kjo ishte premtuar para dy vitesh, por si duket këto janë fjalë në ajër dhe nuk po bëhet asgjë”.
A.F, studente në vitin e parë master për Histori i tha Faktojes:
“Ky Kampus do të na ofronte një serë shërbimesh, duke filluar që nga bibliotekat, mensat më të lira, ambiente sportive, shpresoj të bëhet shumë shpejt”.
Më 11 janar të këtij viti, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion bashkisë Tiranë ku pyeti se në çfarë faze është projekti për ndërtimin e Kampusit Universitar.
Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë
Përgjigje e Bashkisë Tiranë, 3 shkurt 2021
Bashkia Tiranë na ktheu këtë përgjigje:
“Për përcaktimin e autoritetit kontraktor për zhvillimin e procedurave të prokurimit publik për projektin Ndërtimi i Kampusit të ri të Universitetit të Tiranës, Bashkia Tiranë është përcaktuar të zhvillojë dhe administrojë procedurat e prokurimit publik dhe jemi në pritje të fondeve për këtë objekt.
Nga verifikimi i kryer në terren dhe pas përgjigjes që morëm nga Bashkia Tiranë, vendosëm që deklaratën e Kryeministrit Rama dhe Kryebashkiakut Veliaj, për projektin e Kampusit Universitar, ta kategorizojmë si premtim të pambajtur.