Pretendimi: Zëvendëspresidentja amerikane Kamala Harris ka bërë thirrje që platforma X (Twitter) të mbyllej.
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————-
Ndërsa zgjedhjet presidenciale të Nëntorit në ShBA afrohen, në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se kandidatja demokrate Kamala Harris ka bërë thirrje që platforma X, e njohur më parë si Twitter, të mbyllet “për shkak të ndikimit të tij të pakontrolluar dhe mungesës së mbikëqyrjes rregullatore.”
Artikulli i portalit Mast.al gjithashtu pretendon se Harris the se “pronari i X, Elon Musk, ka ‘humbur privilegjet e tij’ dhe se platforma e mediave sociale që ai zotëron ‘duhet të mbyllet’, duke shtuar se X ‘u flet drejtpërdrejt miliona dhe miliona njerëzve pa mbikëqyrje’”.
Ai i referohet një klipi 28-sekondësh të postuar në Twitter, ku Harris dëgjohet të thotë:
“Ai i ka humbur privilegjet dhe duhet të mbyllet. Dhë në fund të ditës, nuk mund të thuash që ke një rregull për Facebook dhe një rregull ndryshe për Twitter. Duhet të zbatohet i njejti rregull që është, duhet të ketë përgjegjësi nga ana e këtyre rrjeteve sociale që të kuptohet fuqia e tyre. Ato po i flasin drejtpërdrejt miliona e miliona njerëzve pa asnjë nivel mbikqyrjeje apo rregullimi. Dhe kjo duhet të ndalojë.”
Faktoje gjeti se klipi është shkëputur nga një intervistë e vitit 2019 me Harris, pas një debati mes pretendentëve për nominimin e Partisë Demokratike për zgjedhjet presidenciale të 2020.
Gjatë debatit, Harris, atëherë senatore, i kishte kërkuar Elizabeth ëarren që të mbështeste kërkesën e saj që Twitter të mbyllte llogarinë e presidentit të atëhershëm Donald Trump.
Në intervistën nga është shkëputur klipi, prezantuesi Jake Tapper e pyeti Harris mbi qëndrimin e saj dhe ajo u përgjigj: “Po flasim për një kompani private, Twitter, që ka kushte përdorimi, dhe për mua dhe mendoj se shumica e njerëzve, duke përfshirë anëtarët e Kongresit të cilët ai i ka kërcënuar, do binin dakord se ai ka humbur privilegjet e tij dhe ajo [llogaria e Trump] duhet të mbyllet.”
Harris nuk bëri thirrje për mbylljen e Twitter/X, dhe as nuk iu referua Elon Musk, i cili e bleu platformën 3 vite më vonë, në 2022.
Twitter mbylli llogarinë e Trump për shkeljen e rregullave kundër “glorifikimit të dhunës” pas sulmit ndaj Kapitolit më 6 janar 2021. Më 19 nëntor 2022, Musk ia rihapi llogarinë.