Pretendimi: Jim Carrey aktron në daljet publike të presidentit Joe Biden
Verdikti: E pavërtetë
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale, ku pretendohet se aktori Jim Carrey është në rolin e presidentit, Joe Biden janë të pabaza dhe thjesht teori konspirative.
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë kanë risjellë në vëmendje teorinë e vjetër, ku pretendojnë se aktori Jim Carrey aktron në shfaqjen publike të presidentit amerikan, Joe Biden. Pra, sipas këtyre aludimeve, presidenti i SHBA nuk është askush tjetër veçse aktori Jim Carrey.
“Ky është aktori që luan rolin e Joe Biden. Ai do përballet me drejtësinë amerikane…”- shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Presidenti amerikan, Joe Biden është subjekt i disa teorive konspirative të mbështetësve të rivalit të tij Trump apo lëvizjes “Make America Great Again – MAGA”. Mirëpo, pretendimet janë hedhur poshtë nga vetë aktori, Jim Carrey.
Në një video të shpërndarë në Twitter/X në prill 2022, nga Jason Selvig e “The Good Liars” – një dyshe humoristike që interviston rregullisht amerikanët konservatorë për çështje politike, një mbështetëse e Donald Trump, diskutoi se ajo besonte se Biden në fakt ka vdekur dhe aktorë të shumtë luajnë rolin e tij.
“Dua të them, ka disa njerëz të ndryshëm që luajnë Joe Biden”, pretendonte ajo.
Pasi ka parë videon në internet, aktori i është përgjigjur klipit duke ironizuar pretendimet: “Oh e dashur”.
Ajo gjithashtu deklaronte se në pamjet e vitit 2021, kur Biden u rrëzua tre herë duke ecur në shkallët e “Air Force One”, ishte Jim Carrey në rolin e presidentit. Mirëpo, të gjitha këto pretendime janë të pabaza dhe thjesht teori konspirative.
Origjina e këtyre pretendime të pabaza duhet të jetë fakti që Carrey luajti Biden për gjashtë episode në komedinë e NBC në sezonin e vitit 2020. Ai aktroi bashkë me Alec Baldwin, në rolin e Donald Trump dhe me Maya Rudolph në rolin e Kamala Harris.
Në dhjetor të vitit 2020, Jim Carrey njoftoi se nuk do të luante më në rolin e presidentit Biden në “Saturday Night Live”.
“Megjithëse sezoni im ishte menduar të ishte vetëm 6 javë, unë isha i emocionuar që u zgjodha si presidenti juaj i SNL”, shkroi Carrey në Twitter/X 4 vite më parë.
Shfaqjet e fundit të presidentit Biden ku ka shfaqur probleme fizike për shkak të moshës, janë një tjetër argument që rrëzojnë këtë pretendim për aktorë më të rinj në moshë që zëvendësojnë presidentin.