Pretendimi: Kanceri shkaktohet nga parazitët ndërqelizor dhe mund të kurohet me ivermectin dhe pesticide të tjera

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se kanceri shkaktohet nga parazitët dhe, si rrjedhojë, mund të kurohet me ilaçin ivermectin. 

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video që shoqëron pretendimin është marrë nga një episod i 5 dhjetorit 2022 i podcast-it “After Hours with Dr. Sigoloff”, ku shfaqet kirurgia ortopedike Lee Merritt. 

Merritt është pjesë e grupit America’s Frontline Doctors. Ajo ka bërë më parë pretendime të rreme për vaksinat anti Covid-19 dhe pandeminë Covid-19.

Merritt pretendon se kanceri dhe skleroza e shumëfishtë shkaktohen nga parazitët, se vaksinat e COVID-19 përmbajnë parazitë dhe se hidroksilklorina dhe ivermectina mund të parandalojnë kancerin duke hequr “parazitin nano-sintetik” në vaksina.

Kanceri ndodh për shkak të mutacioneve në qeliza që rezultojnë në rritje dhe proliferim të pakontrolluar. Infeksioni me agjentë të caktuar biologjikë mund të rrisë rrezikun e kancerit në mënyra të ndryshme. Një shembull i njohur është papillomavirusi i njeriut (HPV), i cili mund të dëmtojë drejtpërdrejt ADN, duke prodhuar mutacione. HPV mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës, orofaringut dhe anal.

Të tjerë janë viruset e hepatitit B dhe C. Infeksioni kronik me këto viruse rrit shumë shanset e një personi për të zhvilluar kancer të mëlçisë, pasi të dy viruset mund të bëjnë më të mundshëm transformimin kanceroz në mënyrë direkte ose indirekte, për shembull duke i bërë mutacionet më të mundshme ose duke ndërhyrë në ciklin qelizor, i cili kontrollon proliferimin e qelizave.

Disa nga këto procese ndodhin edhe gjatë infektimit me disa parazitë. Agjencia Ndërkombëtare për Hulumtimin mbi Kancerin (IARC), pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, njeh infeksionin kronik me tre krimba (Schistosoma haematobium, Opistorchus viverrini dhe Clonorchis sinensis) si kancerogjen i Grupit 1. S. haematobium është i lidhur me kancerin e fshikëzës, ndërsa si O. viverrini ashtu edhe C. sinensis shoqërohen me kolengiokarcinomën (një kancer i kanalit biliar).

Sipas një artikulli të IARC të botuar në vitin 2012, provat shkencore deri më tani tregojnë për inflamacionin kronik si forcën lëvizëse pas transformimit kanceroz në qeliza. Kjo ndodh në mënyra të ndryshme, si nëpërmjet sekretimit të sinjaleve kimike që nxisin rritjen dhe mbijetesën e tumorit, si dhe prodhimin e radikaleve të lira që dëmtojnë ADN-në.

Institutit Kombëtar amerikan i Kancerit (NCI) tha për Health Feedback se, megjithëse disa parazitë mund të shkaktojnë kancer, “ka shumë faktorë të tjerë rreziku që janë identifikuar dhe se prania e një faktori rreziku nuk është një garanci që kanceri do të zhvillohet”.

Pra, megjithëse infeksioni kronik me disa parazitë mund të çojë në kancer, pretendimi i Merritt se “kanceri është parazitë” nuk është i saktë. Shumë faktorë të ndryshëm rreziku rrisin gjasat e një personi për të zhvilluar kancer, si për shembull duhani, obeziteti, dhe alkooli. Kanceri nuk shkaktohet vetëm nga parazitët, as nuk përbëhet nga parazitë, siç mund ta bëjë dikë të besojë pretendimi i Merritt.

Nuk ka prova të mjaftueshme për pretendimin se barnat antiparazitare si ivermectina janë efektive në trajtimin e kancerit te njerëzit.

Ndërsa hidroksilklorina dhe ivermectina janë testuar në disa studime paraklinike për të përcaktuar efektin e tyre në qelizat kancerogjene, për momentin, këto studime nuk ofrojnë provat e nevojshme për të arritur në përfundimin se secili nga ilaçet trajton në mënyrë efektive kancerin te njerëzit.

Rezultatet e këtyre studimeve janë gjithashtu të përziera. Disa raportuan se klorokina, një ilaç që është shumë i ngjashëm me hidroksilklorinën, mund të ngadalësonte rritjen e tumorit te minjtë, por studime të tjera vëzhguan rritjen e përshpejtuar të tumorit.

Njësoj, studimet për efektin e ivermectin në kancer deri më tani janë të kufizuara në studimet paraklinike në kulturat qelizore (qelizat që rriten në laborator). Susanne Arnold, një drejtore e asociuar për përkthimin klinik në Qendrën e Kancerit Markey në Kentaki, tha për Associated Press se studime të tilla nuk janë të mjaftueshme për të provuar se ilaçi funksionon tek njerëzit, duke shtuar “Unë nuk di asnjë raport të provave klinike që kanë dhënë rezultate të suksesshme te njerëzit me kancer”.

Peter Lee, kryetar i departamentit të imunonokologjisë në City of Hope, i cili kryen kërkime mbi efektin e ivermectin në kancerin e gjirit në kombinim me ilaçe të tjera, i tha AFP se “ivermectin është në gjendje të vrasë qelizat e kancerit”, por se kjo duhet të kombinohet me “aktivizimin imunitar” dhe “ne jemi në procesin e të zbuluarit”.

Ai gjithashtu theksoi se kombinimet e barnave funksionojnë vetëm me doza të caktuara të marra në kohë specifike: “Thjesht të thuash se dikush duhet të marrë pak ivermectin që mori nga një veteriner – kjo nuk do të shkonte aspak.”

NCI deklaroi se ivermectin është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e ShBA për trajtimin e disa infeksioneve parazitare, bazuar në gjetjet në provat klinike. Në të kundërt, “nuk ishte në dijeni të ndonjë prove klinike të ngjashme” që vërteton se ivermectin është efektive kundër çdo kanceri. Specifikisht:
“ClinicalTrials.gov, një faqe interneti e Bibliotekës Kombëtare të Mjekësisë të ShBA (NLM), liston 214 prova – në vazhdim, të pa regjistruara, të përfunduara dhe të ndërprera– për ivermectin. Prej tyre, vetëm katër po studiojnë efektet e ilaçit kundër kancerit, në kombinim me barna të tjera. Ekziston një provë e re, që ende nuk po rekruton, që po studion ivermectin dhe pembrolizumab për trajtimin e kancerit metastatik trefish negativ të gjirit.”