Ivermectin ende jo efikase ndaj kancerit edhe pas kësaj dëshmie mjekësore

9

Pretendimi: Kirurgia Kathleen Ruddy ka parë disa pacientë me kancer në fazën të vonë të shërohen krejtësisht pas marrjes së antiparazitarit Ivermectin

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, tregon një mjeke të quajtur Dr. Kathleen Ruddy, e cila pretendon se ka parë disa pacientë me kancer terminal të shëroheshin krejtësisht duke marrë antiparazitarin Ivermectin. Ky shërim pasi trajtimet konvencionale kundër kancerit kishin dështuar dhe mjekët ishin dorëzuar.

Video përdoret për të pretenduar se antiparazitari Ivermectin mund të përdoret për të shëruar kancerin dhe kjo është “arsyea që Ivermectin nuk shitet në Kosovë dhe Shqipëri.”

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje zbuloi se video është nga një intervistë e botuar nga The Epoch Times, një media me një histori të përhapjes së keqinformimit. Kolegët verifikues të fakteve që kanë tentuar të komunikojnë me mjeken pas kësaj interviste nuk kanë mundur të marrin një përgjigje. 

Në intervistë, Dr. Ruddy tha se studimet dhe kërkimet tregojnë se Ivermectina ka potencial si një agjent antikancer. Ajo përmendi gjithashtu se kishte vëzhguar raste të shumta të pacientëve me kancer të avancuar që filluan të përmirësoheshin pas marrjes së Ivermectinës. 

Historia e pacientit me kancer terminal që shërohet mrekullisht nga Ivermectina pasi metodat tradicionale dështuan haset shpesh në promovimet e Iveremctinës, por nuk shoqërohet me ndonjë provë apo studim. 

Nëse një shërim i tillë i mrekullueshëm do të kishte ndodhur, një studim rasti do të ishte hapi minimal që do të merrej, në mënyrë që mrekullia të përsëritej për shërimin e çfarë është quajtur sëmundja e shekullit.

Ruddy tha se gjithmonë i paralajmëron pacientët e saj për rreziqet e përdorimit të një ilaçi të ri si Ivermectina, për shkak të ndërlikimeve të mundshme. Ajo tha se megjithëse ka parë rezultate pozitive, ajo vazhdon të hulumtojë dhe studiojë efektivitetin e Ivermectina si një agjent antikancer.

Dr. Ruddy tha gjithashtu se në fillim të pandemisë, u bë e qartë se Ivermectina ishte efektive në trajtimin e virusit që shkakton COVID-19, diçka që Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e përgënjeshtron.

Ekspertët deklarojnë se nuk ka prova shkencore që Ivermectina është një trajtim efektiv për shërimin e kancerit.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i tha Deutsche Presse-Agentur në gusht 2025 se “aktualisht nuk ka prova që mbështesin përdorimin e Ivermectinës si ilaç për kancerin.”

Vërtet ekziston interes shkencor për përdorimin e Ivermectinës si terapi mbështetëse për kancerin, por kërkimet janë ende në hapat e tyre fillestarë, të kufizuara në studimet paraklinike në kulturat qelizore (qelizat që rriten në laborator). 

Susanne Arnold, nga Qendra e Kancerit Markey në Kentucky, tha për Associated Press se studime të tilla nuk janë të mjaftueshme për të provuar se ilaçi funksionon tek njerëzit, duke shtuar: “Unë nuk di asnjë raport të provave klinike që kanë dhënë rezultate të suksesshme te njerëzit me kancer.”

Peter Lee, kryetar i departamentit të imunonokologjisë në City of Hope, i cili kryen kërkime mbi efektin e Ivermectin në kancerin e gjirit në kombinim me ilaçe të tjera, i tha AFP se “Ivermectin është në gjendje të vrasë qelizat e kancerit”, por se kjo duhet të kombinohet me “aktivizimin imunitar” dhe “ne jemi në procesin e të zbuluarit.”

Ai gjithashtu theksoi se kombinimet e barnave funksionojnë vetëm me doza të caktuara të marra në kohë specifike: “Thjesht të thuash se dikush duhet të marrë pak Ivermectin që mori nga një veteriner – kjo nuk do të sillte aspak ndonjë efekt.”

Ivermectin ka efekte anësore si skuqje të lëkurës, të vjella dhe dëmtim të mundshëm të mëlçisë.

“Ne dimë gjithashtu se Ivermectin në doza shumë të larta, në fakt mund të jetë toksike,” tha Lee. “Pra, padyshim, nuk duhet të jetë: shko gjej ca dhe merre vetë.”

Në vitin 2021, mes rritjes së numrit të rasteve drejtuar qendrave të helmimit, Departamenti kanadez i Shëndetit lëshoi ​​një paralajmërim kundër marrjes së Ivermektinës jashtë etiketës ose në versione për bagëtinë. “Kanadezët nuk duhet të konsumojnë kurrë produkte shëndetësore të destinuara për kafshët për shkak të rreziqeve të mundshme serioze shëndetësore, duke përfshirë kriza, komë dhe madje edhe vdekje”, tha institucioni.

Akos Heinemann, drejtues i kërkimit në departamentin e farmakologjisë në UnIversitetin Mjekësor të Grazit, tha për AFP se “dhënia ose marrja e Ivermektinës jashtë indikacioneve të saj të miratuara është neglizhencë e rëndë.”

Monika Redlberger-Fritz, studiuese në Qendrën për Virologji në UnIversitetin Mjekësor të Vjenës, u pajtua. “Ivermektina duhet të përdoret vetëm siç është autorizuar; të gjitha përdorimet e tjera nuk janë të rekomanduara”, tha ajo për AFP.

Instituti Kombëtar amerikan i Kancerit deklaroi se Ivermectin është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e ShBA për trajtimin e disa infeksioneve parazitare, bazuar në gjetjet në provat klinike. Në të kundërt, “nuk ishte në dijeni të ndonjë prove klinike të ngjashme” që vërteton se Ivermectin është efektive kundër çdo kanceri.

Faktoje ka shpjeguar më parë se nuk ka ende prova të mjaftueshme klinike që tregojnë se Ivermektina mund të përdoret për të trajtuar kancerin tek njerëzit në mënyrë efektive.