Pretendimi: Qeveria italiane ka ndaluar mësuesit të diskutojnë temat LGBT në shkolla
Vlerësimi: Mungon konteksti
Barbara Halla
Një postim i shpërndarë në Facebook në shqip pretendon se Italia ka ndaluar të gjitha diskutimet mbi temat LGBT në shkolla. Pretendimi ka nxitur reagime dhe shqetësime, por një verifikim i fakteve tregon se ai është nxjerrë jashtë kontekstit dhe bazohet në një rekomandim të lëshuar nga Ministria e Arsimit.

Më 21 mars 2025, Ministria italiane e Arsimit njoftoi përmes një qarkoreje se në komunikimet zyrtare të shkollave duhet të respektohen rregullat e gjuhës italiane, duke ndaluar përdorimin e simboleve grafike si asterisku (*) dhe “schwa” (ə), të përdorura nga disa për të shënuar forma gjinore neutrale. Italishtja, si dhe shqipja, janë gjuhë që përdorin gjininë femërore dhe mashkullore në emra dhe mbiemra. Në Itali, si dhe vende të tjera si Franca, aktivistë për të drejtat e grave dhe komunitetit LGBT (por jo vetëm) prej vitesh kanë rekomanduar praktikën e “gjuhës inkluzive.” Në rastin e asteriskut, ai përdoret për të përfshirë si subjekte femërore dhe mashkullorë. Për shembull, duke shkruar doktor*, asteriksi përfshin si doktorët dhe doktoreshat gra.
Sipas deklaratës të lëshuar nga Ministria italiane, këto simbole bien ndesh me normat gjuhësore dhe rrezikojnë të dëmtojnë qartësinë dhe njëtrajtshmërinë e komunikimit institucional. Edhe Accademia della Crusca, institucioni që konsiderohet si autoritet mbi gjuhën italiane, ka theksuar më herët se përdorimi i këtyre formave në dokumente zyrtare nuk është gramatikisht i saktë dhe mund të krijojë paqartësi.
Ky vendim është interpretuar nga disa si ndalim i diskutimeve mbi identitetin gjinor apo të drejtat LGBT në shkolla, por dokumentet zyrtare nuk përmbajnë një dispozitë të tillë. Qarkorja i referohet vetëm gjuhës së përdorur në komunikimet zyrtare dhe jo përmbajtjes së mësimdhënies apo temave që trajtohen në klasë.
Për më tepër, udhëzimet e reja për edukimin qytetar në Itali, autoritetet italiane nuk e kanë hequr atë nga shkollat dhe nuk përmendet ndalimi i temave LGBT. Programet e reja përfshijnë studimin e zhvillimit biologjik, riprodhimit, pubertetit dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Ligji për “pëlqimin e informuar” u jep prindërve rol në vendimmarrje për pjesëmarrjen e të miturve në leksione mbi identitetin gjinor, por nuk ndalon diskutimet mbi orientimin seksual apo të drejtat civile.
Në këtë kontekst, pretendimi se Italia ka ndaluar të gjitha diskutimet mbi të drejtat LGBT në shkolla është nxjerrë jashtë kontekstit.






