.

.

BallinaPertejIsh ministri Xhafaj me standardin 700 euro nata, Lleshaj më ‘kursimtar’

Ish ministri Xhafaj me standardin 700 euro nata, Lleshaj më ‘kursimtar’

Faktoje arriti ‘të shtjerë’ në dorë dokumentacionin nga Ministria e Brendshme për shpenzimet e udhëtimeve zyrtare jashtë vendit për 2 ish ministra, Fatmir Xhafaj dhe Sandër Lleshaj, pas vendimit të Gjykatës Administrative. Faturat na u vunë në dispozicion me të dhëna të censuruara, megjithatë edhe pse bëhet fjalë për të njëjtën ministri, është i qartë dallimi mes standardit të dy ministrave, edhe pse ligjërisht, një VKM e vitit 2011  nuk ua ndalon atyre akomodimin e luksit.

Ministria e Brendshme, pak javë më parë  (fundi i vitit 2020) dorëzoi dokumentacionin e kërkuar, pasi Faktoje fitoi betejën ligjore me 8 institucionet më të larta të shtetit për  faturat e shpenzimeve të kryera nga titullarët për udhëtimet jashtë vendit.

Faturat që iu vunë në dispozicion Faktojes i përkasin periudhës janar 2018-qershor 2019, kohë gjatë së cilës në këtë post kanë qenë përkatësisht, Fatmir Xhafaj dhe Sandër Lleshaj.

Ndërsa nisëm verifikimin e faturave të kërkuara, e para gjë që konstatuam ishte ndryshimi i standardit në dhënien e informacionit. Ministria e Brendshme, ndryshe nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Arsimit  ka censuruar disa të dhëna.

1-Në faturat e udhëtimeve të titullarit të ministrisë së Brendshme janë fshehur emrat e hoteleve ku janë akomoduar ministrat.

2-Janë fshehur emrat e shoqëruesve të ministrave në udhëtime

3-Urdhërat e shërbimit jashtë vendit për ministrin nuk kanë datë dhe numër protokolli

 

Fatura e Ministres Etilda Gjonaj

*Faturë udhëtimi e Ministres Gjonaj, dërguar në korrik 2019 ( figuron kompania që ka blerë biletat ‘Odisea Travel and Tours)’

Fatura e ish-Ministrit Fatmir Xhafaj

Në faturën e ish-Ministrit Xhafaj emrat e shoqëruesve janë fshirë

Duke iu rikthyer përmbajtjes së shpenzimeve në faturat e siguruara nga Ministria e Brendshme, konstatuam se Fatmir Xhafaj, ish-ministër I Brendshëm (I cili ka ushtruar këtë detyrë nga 24 marsi  i vitit 2017 deri në 27 tetor 2018), vetëm në periudhën  janar-tetor 2018 ka kryer 9 udhëtime zyrtare jashtë vendit, mesatrisht nga një udhëtim çdo muaj.

Shuma e shpenzuar gjithsej rezulton të jetë 5.615.421,597 (pesë milionë gjashtëqind e pesëmbëdhjetëmijë e katërqind e njëzetenjë presje pesëqind nëntëdhjetë e shtatë) lekë të reja nga buxheti i shtetit.

 

Ajo që Faktoje vuri re në disa prej faturave të dërguara nga ky institucion është se hotelet në të cilat është akomoduar ish ministri Xhafaj, çmimet i kalojnë 400 euro/nata  ndërsa biletat e udhëtimit nuk bien asnjëherë poshtë vlerës 50.000 lekë të reja.

*Tabela përmbledhëse e shpenzimeve të ish Ministrit Xhafaj (Janar-tetor 2018, bazuar në faturat e vëna në dispozicion nga MB.)

 

Bileta më e shtrenjtë e udhëtimit rezulton në vlerën 340.478 Lekë të reja dhe i përket itinerarit Tiranë-Berlin-Washington-Tiranë nga 18 deri në 24 mars 2018. Akomodimi në hotelet në Gjermani dhe SHBA ka kushtuar 3,679 Euro.

*Fatura e biletës së udhëtimit Tiranë-Berlin-Washington-Tiranë 18-24 mars 2018

 

  • Kopje e urdhërit të shërbimit të ish ministrit Xhafaj, pa numër protokolli

Nga data 07 deri në 11 korrik 2018, ish-Ministri Xhafaj ka marrë pjesë në Samitin e Londrës, me ftesë të Sekretarit të Shtetit për departamentin e Brendshëm, sipas përshkrimit të urdhërit të shërbimit për jashtë vendit që ka dërguar Ministria e Brendshme.

Bileta e fluturimit Tiranë-Londër-Tiranë ka kushtuar 56.133 lekë të reja ndërsa akomodimi për 4 netë,  2756 Euro.

*Urdhër shërbimi për jashtë vendit i zotit Xhafaj për vizitën në Londër, e paprotokolluar

*Kopje e faturës për biletën e udhëtimit për në Londër, të ish ministrit Xhafaj

*Kopje e faturës së lëshuar nga hoteli në Londër ku është akomoduar ish ministri Xhafaj, 7-11 korrik 2018

Edhe pse emri i hotelit në dokumentacionin e dërguar është censuruar, Faktoje arriti të identifikojë se bëhet fjalë për një hotel luksi, i kategorisë me katër yje “The Goring” ku rezervimi për një natë i afrohet 700 eurove.

 

 

Pasuesi i Xhafajt, Sandër Lleshaj më ‘kursimtar’ me udhëtimet dhe hotelet

Për ministrin Sandër Lleshaj, për të cilin janë vënë në dispozicion faturat që i përkasin periudhës nga marrja e detyrës në nëntor 2018 deri në qershor 2019, rezulton se ai ka bërë 7 udhëtime jashtë vendit, mesatarisht një udhëtim në muaj. Për periudhën e raportuar, rezulton se zoti Lleshaj ka patur shpenzime më modeste në vizitat zyrtare sa i përket biletave të udhëtimit dhe akomodimit, edhe pse duhet pranuar se në ‘listën’ e tij të udhëtimeve mungojnë destinacionet si Londra apo Washingtoni që kanë ndikuar ndjeshëm në zërat e shpenzimeve për titullarin.

Megjithatë bie në sy ‘dallimi’ mes shpenzimeve të dy ish ministrave. Shpenzimet totale për biletat e udhëtimeve, akomodimet dhe dietat e zotit Xhafaj janë thuajse 6  herë më të larta se zoti Lleshaj, ose me  një diferencë prej 4.614.452.136 lekë. Si periudhë raportimi (nga faturat që disponojmë) kemi pasqyruar 9 muaj të zotit Xhafaj dhe 7 muaj të zotit Lleshaj në detyrë.

Nga data 3 dhjetor 2018 deri në datën 10 qershor 2019 ish-ministri Lleshaj, në  shtatë udhëtimet zyrare jashtë vendit të raportuara rezulton të ketë shpenzuar shumën prej 969.461 Lekë të reja (bileta, akomodim dhe dieta).

Në kuadër të zhvillimit të takimevenë nivel politik për çeljen e negociatave, (bazuar në urdhërin e shërbimit për udhëtime jashtë vendit, dërguar nga Ministria e Brendshme) ish-ministri Sandër Lleshaj ka udhëtuar në Berlin nga data 3 deri në 7 qershor 2019. Vlera e biletës për këtë udhëtim ka qenë 108.333 lekë të reja, ndërsa akomodimi për 3 netë sipas faturës, ka kushtuar 1269 lekë, ose 430 euro/nata. Ky rezulton të jetë udhëtimi më i kushtueshëm i zotit Lleshaj.

*Kopje e urdhërit të shërbimit për udhëtimin e zotit Lleshaj ne Berlin 3-7 qershor 2019, pa numër protokolli

*Kopje e faturës për biletën e udhëtimit të ish ministrit Lleshaj në Berlin

 

Nga data 25 deri në 27 mars 2019 ish-ministri Lleshaj ka qenë pjesë e një takimi dypalësh të mbajtur në Paris. Vlera e biletës për këtë udhëtim ka qenë 53.750 lekë, ndërsa akomodimi 390 euro/natë.

*Kopje e urdhërit të shërbimit jashtë vendit për udhëtimine  zotit Lleshaj  në Paris 25-27 mars 2019

*Kopje e faturës për blerjen e biletave të udhëtimit, emrat e 5 shoqëruesve të Lleshajt janë fshirë

Në 5 udhëtimet e tjera, destinacionet e vizitave zyrtare të ish ministrit Lleshaj kanë qenë Zagrebi,Ankaraja, Brukseli e të tjerat, ku akomodimi në hotel për një natë varion nga80-400 euro.

Nga verifikimi i faturave të vëna në dispozicion nga Ministria e Brendshme, bie në sy  se ndryshe nga paraardhësi i tij, Lleshaj ka pasur udhëtime më të shkurtra në kohëzgjatje dukë përfituar më pak dieta si rrjedhojë. Në shumicën e udhëtimeve, Lleshaj ka pasur 160 euro dieta (80 euro/dita)  ndërkohë për ish ministrin Xhafaj, në disa udhëtime dietat kapin vlerën deri në 400 euro.

 

*Sqarim: Në lajmin e publikuar në datë 26/01/2021 “1.       Ministri Xhafaj me standardin 700 euro nata, Lleshaj me kursimtar”, në tabelën përbledhëse që pasqyronte shpenzimet në udhëtime të ish ministrit Xhafaj, nuk ishte pasqyruar vlera e akomodimit në Washington (nga 20-24 mars 2018 siç vërtetohet në dokumentin ilustrues).

Kjo vlerë është pasqyruar dhe është korrigjuar shuma e shpenzimeve.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img