Pretendimi: Ish-mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal, ka ndërruar jetë.
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————
Këtë shtator, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi lajmi se futbollisti Eric Abidal kishte ndërruar jetë.

Megjithatë, vetë Abidal lëshoi një deklaratë nëpërmjet llogarisë së tij zyrtare në Instagram duke mohuar lajmin.

“Disa thashetheme nuk duhet të ekzistojnë kurrë,” postoi Abidal. “Jam këtu me familjen time dhe gjithçka është mirë. Respekti është thelbësor. Për të qenë të qartë, jam mirë, jam gjallë dhe i shëndetshëm. Le të përqendrohemi në atë që ka vërtet rëndësi. Faleminderit për mbështetjen dhe mesazhet tuaja të shqetësuara.”
Gruaja e tij, Hayet Abidal, tha në një email për Reuters më 20 shtator se ai ishte gjallë dhe në shëndet të mirë.
Abidal, 46 vjeç, një mbrojtës që luajti për Olympique Lyonnais, Barcelonën dhe bëri 67 paraqitje me ekipin kombëtar francez, u tërhoq në vitin 2014.
Në vitin 2011, ndërsa luante për Barcelonën, ai iu nënshtrua një operacioni për të hequr një tumor në mëlçi. Vitin pasardhës, ai iu nënshtrua një transplanti të mëlçisë.
Ai u emërua drejtor sportiv i Barcelonës në 2018 dhe mori një post të ngjashëm me klubin e futbollit Al-Wasl në Emiratet e Bashkuara Arabe në mars të 2025.